Një shqiptar u vu në pranga nga policia italiane pas sinjalizimeve për një vjedhje banese në zonën e Mazzano-s. Identiteti i tij nuk është bërë publik. Mësohet se një bashkëpunëtor i tij arriti t’i shpëtojë arrestimit dhe u arratis. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, ku forcat e rendit u vunë në ndjekje të një makine “Lancia Delta”, pas raportimeve për grabitje. Mjeti me dy hajdutët brenda arriti në një garazh në Ciliverghe.
Në këtë moment ndodhi dhe aksioni për kapjen e tyre, të cilët reaguan ndaj policëve. Mes shtyrjeve dhe goditjeve, njëri prej tyre arriti të largohej, por në pranga ra një 32-vjeçar, i cili u dërgua në burgun Canton Mombello. Dyshja e banditëve sapo kishte kryer një vjedhje, e cila sipas mediave dyshohet të jetë e 11-ta në një javë. Në Ciliverghe, ata kishin ngritur bazën e tyre në një banesë në pronësinë e një shqiptari tjetër. Aty planifikoheshin të gjitha grabitjet në vilat e zonës.
Hajdutët hynin në aksion natën, në momentin që verifikonin se pronarët nuk ndodheshin në shtëpitë e tyre. Për të hyrë brenda banesave thyenin portat dhe dritaret duke përdorur mjete të ndryshme si shkopinj, sharra dhe gur fleksibël. Sapo futeshin brenda merrnin vetëm gjërat e shtrenjta ora, bizhuteri, para, tableta dhe smartfone. Një pjesë e tyre është sekuestruar nga karabinierët. Ndërkohë po punohet për të arrestuar edhe autorin tjetër të vjedhjeve, i cili u arratis, duk u ikur nga duart policëve.