Kjo verë do të jetë e nxehtë jo vetëm për politikën, por edhe për policinë. Brenda muajit korrik do të nisë procesi i vettingut në Polici dhe në sitë, i pari në listë është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
E pas tij do të jenë drejtuesit në Drejtori të Përgjithshme dhe drejtorët e qarqeve.
Vettingu do të kryhet përgjatë kësaj vere edhe për drejtuesit e Policisë Rrugore, drejtuesit e Kufirit si dhe ata të Gardës dhe Reparteve Speciale, raporton Report TV.
Në krye të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit është zgjedhur ekonomistja Ana Kapaj ndërsa 45 gradat e para janë ndarë për nga 5 grupe komisionesh me tre anëtarë.
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit në Policinë e Shtetit bën të ditur se seancat do të mbahen në të njëjtën sallë pranë Pallatit të Kongreseve ku zhvillohen ato për gjyqtar e prokurorë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
45 efektivët e parë të cilët i përkasin rangut drejtues përgjatë këtyre javëve janë duke komunikuar me Komisionin e Jashtëm për plotësimin e dokumenteve, për përgjigje të pyetjeve sqaruese si dhe për të dhënat e tyre të cilat në disa raste kanë rezultuar jo të plota.
Prej nisjes së këtij procesi nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa ligji për vettingun në Policinë e Shtetit u amendua për t’i hapur rrugë që pas 45 gradave të para të vazhdohet me kontrollit për efekt të këtij procesi nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për pjesën tjetër të trupës policore.