Pak ditë më parë, kryeministri paralajmëroi një projekt për uljen e moshës mesatare në radhët e Policisë së Shtetit. Tashmë nisma e njoftuar është konkretizuar në një projektligj i cili ka për qëllim që t’i garantojë punonjësve të këtij institucioni që ndërpresin marrëdhëniet e punës, trajtim financiar me “pension shërbimi”, si përfitim suplementar.
Konkretisht, projekt-akti synon, që t’i japë mundësi punonjësve të Policisë së Shtetit me një karrierë të gjatë në këtë strukturë, që të përfitojnë pension shërbimi në rast se dëshirojnë që të ndërpresin marrëdhënien e punës përpara plotësimit të moshës për pension të plotë pleqërie, raporton Tv Scan.
“Sipas kësaj dispozite, punonjësi i policisë, me kërkesën e tij fiton të drejtën e pensionit të shërbimit, kur plotëson 25 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit me gradë policore dhe ka mbushur moshën 55 vjeç” shkruhet në relacion.
Nga ana tjetër, propozimet e këtij projekt-akti synojnë uljen e moshës mesatare të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke e argumentuar se kjo siguron një polici më aktive dhe efiçente në luftën kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, si dhe rritjen e parametrave të rendit e sigurisë publike
Sipas projektligjit, masa e pensionit të shërbimit për personat që plotësojnë kriteret e përfitimit, (25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 55 vjeç), është 65 % (përqind) e pagës mesatare referuese neto dhe për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim mbi 25 vite, masa e pensionit të shërbimit, shtohet me 1 % (përqind) të pagës mesatare referuese neto. Shuma e pensionit të shërbimit është parashikuar të mos kalojë 75 % (përqind) të pagës mesatare referuese neto. Punonjësi i Policisë, që plotëson kriteret përfiton pension shërbimi, pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 dhe ky trajtim vazhdon deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie.
Përfitues të pensionit të shërbimit, do të jenë vetëm punonjësit e Policisë së Shtetit, që ndërpresin marrëdhënien e punës pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Numri i punonjësve të policisë që aktualisht plotësojnë kriteret për përfitim të pensionit të shërbimit sipas kritereve të parashikuara në këtë projektligj është në total 1080 punonjës.
Nisur nga nevojat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sikurse shpjeguar në relacion, është vlerësuar që pensionin e shërbimit do ta përfitojnë çdo vit jo më shumë së 30% e punonjësve që plotësojnë kriteret në këtë projektligj.
Nga përllogaritjet rezulton se efektet financiare mujore janë në vlerën 12 milion e 965 mijë lekë.