“Kam përshtypjen se gjuha e ashpër, mungesa e vullnetit të palëve për të negociuar me njëra-tjetrën dhe për të gjetur një kompromis është një tipar i kulturës së politikës së brendshme shqiptare. Por unë do të doja të theksoja me përgjegjësi të plotë se pala ruse nuk ka asnjë lidhje me protestat dhe aq më tepër me veprime të dhunshme gjatë këtyre protestave. Për fat të keq, akuza të tilla shfaqen herë pas here në mediat shqiptare ose në fjalimet e funksionarëve partiakë”, është kjo deklarata që bën Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Alexandër Karpushin, në një intervistë për Report Tv.
Ai shprehet ka mohuar akuzat e ngritura se PD-ja është nën ndikim rusë, dhe se protestat e opozitës kanë qenë të nxitura dhe financuara nga Rusia. Ambasadori rus ka folur edhe për financimin e PD-së nga para ruse, çështje për të cilën tashmë është ngritur dhe një hetim penal. Karpushin është shprehur se historia e financimit të PD-së nga paratë ruse, është “shpikje amerikane”.
“Sa i përket akuzave për financimin rus të Partisë Demokratike, motivi dhe arsyeja e një hapi të tillë janë krejtësisht të pakuptueshme. Pse duhet t’i japim para Partisë Demokratike për lobim në SHBA? A është ajo më pro-ruse se Partia Socialiste? Aspak. Më shumë gjasa, agjentët partiakë PR, duke kopjuar amerikanët në çdo gjë dhe të frymëzuar nga hetimi amerikan ndaj Prokurorit të Posaçëm Muller, shpikën këtë histori”, shprehet Karpushin.
Ambasadori rusë ka komentuar edhe krizën politike në vendin tonë, duke u shprehur se ajo duhet të zgjidhet nga institucionet brenda Shqipërisë. “Diplomacia ruse i përmbahet vijueshmërisht parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Këtu përfshihet edhe Shqipëria. Unë jam absolutisht i bindur se populli juaj është në gjendje të zgjidhë vetë problemet e tij. Dallimet tuaja politike na interesojnë vetëm nga pikëpamja e sigurisë së qytetarëve tanë, si të atyre që jetojnë këtu, por edhe të atyre që ndodhen në Shqipëri me pushime”, ka thënë Karpushin.