Pas një seance maratonë, Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro projektligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, një nismë që shkaktoi debate të forta dhe tensione mes mazhorancës dhe opozitës. Përveç këtij projektligji, u miratua edhe një paketë e gjerë ndryshimesh në ligjet tatimore dhe fiskale.
Fillimisht u miratuan amendamentet e paraqitura nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ndërsa u rrëzuan ato të deputetit të PD-së Enno Bozdo, i cili e cilësoi ligjin si “autostradë për pastrimin e parave”. Po ashtu, u rrëzuan edhe amendamentet e disa deputetëve, atij socialist Erion Braçe, demokrates Jorida Tabaku, kreut të Partisë “Mundësia” Agron Shehaj dhe deputetit Erald Kapri.
Braçe argumentoi se projektligji favorizon subjektet që kanë falsifikuar bilancet financiare, ndërsa propozimet e tij synonin ta kufizonin këtë hapësirë. Nga ana e saj, deputetja Tabaku pretendoi se ligji është antikushtetues, cenon konkurrencën dhe krijon favore të padrejta.
“Tre ditë më parë KE deklaroi se ligji ka probleme të rënda. Ky ligj jep favore speciale. I bëj thirrje presidentit që mos ta dekretojë këtë ligj. Nëse edhe kjo nuk ndodh PD do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Tabaku.
Shehaj ndërkaq, propozoi përjashtimin e subjekteve nën hetim apo të dënuarve në fushën e krimit të organizuar, si dhe të kompanive të individëve nën hetim për aktivitete kriminale. Amendamenti i tij synonte ndër të tjera edhe përjashtimin e investitorëve strategjikë si dhe deputetëve, nga Paqja Fiskale.
Seanca maratonë mori në shqyrtim dhe hodhi në votim edhe një sërë projektligjesh të tjera, të cilat siguruan votat e mjaftueshme për miratim.
Kësisoj, me 81 vota pro, u miratua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Me 80 vota pro u miratua projektligji “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
Me 84 vota pro u miratua projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ”Për tatimin mbi të ardhurat”.
Me 81 vota pro u miratua projektligji “Për disa shtesa në ligjin ‘Për sistemin e taksave vendore”.
Me 81 vota pro u miratua projektligji “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar.
Me 76 vota pro u miratua projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.
Me 73 vota pro u miratua projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Shumica e amendamenteve për këto projektligje u rrëzuan
