Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e vona të ditës së djeshme, 15 janar, te mbikalimi i Urës së Dajlanit në Durrës.
Një makinë, që drejtohej nga një 26-vjeçar ka rënë nga ura. Si pasojë, është plagosur vetë shoferi dhe dy këmbësorë, që ndodheshin rastësisht në këtë zonë, kur ka ndodhur ngjarja.
Ndërsa, ka ndërruar jetë pasagjerja 18-vjeçare. Shoferi i mjetit është në gjendje të rëndë për jetën. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet se ka qenë shpejtësia e lartë.
Shoferi ka qenë me mbi 100 km në orë, në momentin e aksidentit. Ai nuk ka frenuar. Është përplasur direkt me trafik ndarësen dhe nga aty ka fluturuar për 50 metra horizontalisht për te përfunduar te dyqani i luleve, ku ka përplasur rojen me një person tjetër.
Policia, me anë të një deklarate për mediet, ka sqaruar dinamikën e ngjarjes “Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, njofton policia.
