Kundër dhe kur i japin të drejtë. Sali Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese se shpallja antikushtetuese e zgjatjes së arrestit të tij shtëpiak, nuk ka më vlerë, sepse i vuajti në kurriz 11 muaj në izolim. Tani, ky vendim sipas doktorit, i shërben vetëm Ramës.
“A ka kuptim që vendimi shpallet jokushtetues, por nuk shfuqizohet? Nuk e shfuqizojnë me pretendimin se nuk ekziston, por ai vendim ka prodhuar pasoja dhe pasojat e tij ekzistojnë. Nga ana tjetër, me këtë vendim i kanë hapur rrugën për mbështetjen për ministrat, të cilat mund të dënohen për krime monstruoze dhe korrupsion. Pra, e kuptoni ju që në pamje të parë duket sikur kanë bërë drejtësi, në të vërtetë janë treguar një seksion politik i partisë së krimit, ashtu siç janë.”
Por Rama paralajmëroi se nuk do të presë opozitën, dhe do të vijojë përpara me apo pa të në parlament për reformat. Berisha paralajmëroi gjithashtu se do e rikonsiderojë qëndrimin e tij për të mos mbetur mbrapa.
“Se çfarë do bëjmë, do e vendosim, por fakti është ky që them unë. Në qoftë se shkojmë, shkojmë për ta demaskuar.”
Zbutja sot e doktorit, vlen edhe për Salianjin.
“Një sqarim, nuk jam këtu për atë çështje, i vetëpërjashtuar. Lexo nenin 24, është i vetëpërjashtuar. Bëri zgjedhjen e vet.”
Neni 24 i statutit të PD nuk flet për vetëpërjashtim, por ka 3 opsione, më i lehti paralajmërimi, i mesmi pezullimi dhe i fundit, përjashtimi. 3 opsione që vlejnë për Salianjin të reflektojë deri në muajin prill.
