Kryeministri Edi Rama tha në takimin me kryebashkiakët në Golem, se përmbytjet nuk erdhën vetëm nga faktorë natyrorë, por edhe nga dora e njeriut.
Sipas kreut të qeverisë, nga qytetarët ka hedhje të plastikës në rrugë, çka ka sjellë dhe bllokim të kanaleve.
Rama paralajmëroi se do të ngrihet një Task Forcë kundër mbetjeve plastike.
“Meqë është takimi i parë i vitit edhe takohemi sy më sy, ju uroj të keni vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë. Sot jemi këtu, në vijim të takimve të organizuara, për të çelur vitin, duke diskutuar për sfida dhe për të vënë disa piketa rrugës dhe për të përcaktuar çështjet kryesore që do duhet të merremi bashkarisht. Dua ta filloj me faktin që viti nisi me një situatë tejet të vështrë atmosferike, që preku një pjesë jo të vogël të komunitetit, të territoreve dhe që na përballi me sfidën e emergjencës, në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë, zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit, të cilat sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen në gjuhën e përditshme si ngërçe në fluksin e qarkullimeve të ajrit dhe krijojnë reshje shiu dhe dëbore me intensitet shumë të lartë.
