Begaj mesazh politikës në nisjen e sesionit të ri parlamentar: Debati humbet fokusin nga BE

Më të fundit


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, iu drejtua sot deputetëve dhe qytetarëve shqiptarë me një mesazh për nisjen e sesionit të dytë të legjislaturës XI, duke theksuar rëndësinë e një agjende reformuese që synon forcimin e shtetit të së drejtës, mirëqenien e qytetarëve dhe avancimin drejt Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se përkushtimi, bashkëpunimi dhe respekti reciprok janë elementë kyç për të garantuar suksesin e reformave, duke shtuar se qytetarët presin më pak konflikt dhe më shumë zgjidhje nga përfaqësuesit e tyre.

Ai u ndal veçanërisht te reforma në drejtësi, që sipas tij ka krijuar institucione të reja dhe garanton zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, Presidenti theksoi nevojën për përparim në reformën zgjedhore, duke respektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për standarde të larta zgjedhore dhe proces konsultimi gjithëpërfshirës.

Një tjetër prioritet, sipas Begajt, mbetet reforma administrative-territoriale, që duhet të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve dhe të sigurojë shërbime dhe infrastrukturë publike të barabartë në të gjithë vendin. Ai kërkoi gjithashtu efikasitet maksimal në mekanizmat e kontrollit parlamentar, duke theksuar se parlamenti duhet të ofrojë rezultate konkrete dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.

Presidenti përfundoi mesazhin me një thirrje për përgjegjësi dhe besnikëri ndaj Kushtetutës, duke siguruar se respektimi i këtyre parimeve do t’i japë Kuvendit energjinë për një sesion parlamentar rezultativ dhe të suksesshëm, në shërbim të Shqipërisë dhe të ardhmes europiane.

Të nderuar deputetë,
Të dashur bashkëqytetarë,

Kuvendi mblidhet sot në sesionin e dytë të legjislaturës XI dhe nis punën për zbatimin e një agjende të ngjeshur, me nisma reformuese.
Ky gjashtëmujor mbart sfida të rëndësishme për vendin dhe kërkon vullnet politik e vetëdije të lartë shtetformuese, në mënyrë që çdo nismë ligjore t’i shërbejë drejtpërdrejt forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve tanë dhe aspiratës sonë më të madhe: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian nuk mund të ketë konkurrencë. Ai kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, kërkon reforma të thella dhe punë intensive. Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar.

Qytetarët presin nga ju më pak konflikt dhe më shumë zgjidhje. Ata presin ligje cilësore, mbikëqyrje mbi qeverisjen dhe një debat politik të ndershëm. Në këtë ekuilibër rolesh, secili ka përgjegjësinë e vet. Demokracia nuk mund të funksionojë pa ekuilibër dhe pa respekt reciprok.
Reforma në drejtësi nisi si nevojë dhe emergjencë kombëtare. Ajo krijoi institucione të reja dhe mori mbështetjen masive qytetare për një drejtësi të pavarur, profesionale, funksionale dhe që garanton zbatimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Ky sesion përballet me nevojën që politika të konfirmojë mbështetjen për drejtësinë. Politika duhet të ndihet krenare kur drejtësia vepron kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kur drejtësia tregon pavarësi, integritet, profesionalizëm dhe kur qytetarët marrin drejtësi sipas standardeve evropiane.
Në këtë sesion, reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore. Angazhimet në funksion të kësaj reforme kërkojnë përkushtimin tuaj maksimal. Rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR-it kanë identifikuar çështje thelbësore për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat nuk mund të ngelen pa u adresuar. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve.

Reforma administrative territoriale përbën, gjithashtu, një gur kilometrik, i cili suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis. Kjo reformë duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve, lëvizjet demografike, nga nevoja për shërbime dhe infrastrukturë publike dinjitoze dhe të barabartë në çdo njësi për ta bërë vetëqeverisjen vendore të vërtetë dhe të qëndrueshme.

Një rëndësi të dorës së parë duhet të marrë shfrytëzimi me efikasitet i mekanizmave të kontrollit parlamentar. Qytetarët kanë nevojë ta shohin Kuvendin në veprim dhe qeverinë të japë llogari, por, mbi të gjitha, ata kanë nevojë që kjo procedurë parlamentare të jetë serioze dhe e përgjegjshme. Kontrolli parlamentar ka kuptim kur ai prodhon rezultat, kur institucionet vihen në lëvizje, kur merren masa, ndryshohen procedura, përmirësohen ligje.
Një parlament me qytetarët dhe për qytetarët duhet të reflektojë problemet dhe kërkesat e tyre prioritare.
Përmes një komunikimi politik, etik, konstruktiv dhe bashkëpunues, sfidat e demografisë, të sigurisë sociale, sigurisë kibernetike, sigurisë nga fatkeqësitë natyrore dhe të sigurisë kombëtare meritojnë vëmendje më të madhe ligjore dhe institucionale.

Mandati juaj është një kontratë besimi me qytetarët. Ky besim, më shumë se me fjalë, matet me veprime dhe vendime të drejta. Sfidat e këtij sesioni parlamentar janë të shumta, por besnikëria ndaj Kushtetutës, parimeve të saj dhe ndaj objektivave madhore të Shqipërisë do t’i japin Kuvendit forcën dhe energjinë e duhur për të çuar përpara një sesion parlamentar rezultativ dhe të suksesshëm.

Ju uroj punë të mbarë në shërbim të Shqipërisë dhe të ardhmes sonë evropiane!



Skip to toolbar