Parku i Liqenit të Paskuqanit po shndërrohet në një nga hapësirat më të rëndësishme publike dhe rekreative të zonës metropolitane Tiranë–Kamëz. Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Sulin, panë nga afër investimet e realizuara dhe ecurinë e transformimit të kësaj hapësire.
Me një sipërfaqe prej 84 hektarësh, sipas kryeministrit ky park përfaqëson një investim të qëndrueshëm në shërbim të komunitetit, mjedisit dhe zhvillimit urban, duke u kthyer në një pikë referimi për cilësinë e jetës së banorëve.
Gjatë vizitës në park, kryeministri Rama vlerësoi transformimin e realizuar dhe e cilësoi Parkun e Liqenit të Paskuqanit si një model për administrimin racional të aseteve natyrore. Ai theksoi rëndësinë e promovimit të sporteve ujore, veçanërisht kanosë, duke sugjeruar krijimin e një baze të posaçme për këtë aktivitet.
“Vazhdon puna intensive për një transformim që nuk ndalet edhe ky park është duke nisur të marrë një formë që mjafton të imagjinosh se si do të rritet kurora e pemëve në disa vite që vijnë për të kuptuar që falë kryetarit të bashkisë, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një aset i gjelbër i pa çmueshëm do t’i jepet kryeqytetit nga Kamza dhe kur sheh këtë transformim, të vjen keq se si u goditën dhe u çvlerësuan në të kaluarën, asete po kaq të vlefshme si liqeni i Farkës apo liqeni i Thatë, përpara se sa ato territore mund të futeshin në një administrim racional. Gjithsesi mësojmë nga Kamza Dhe ecim në shembullin e Kamzës”, u shpreh Rama.
Infrastruktura e parkut përfshin një pedonale rrethore prej 5.2 kilometrash, amfiteatrin veror, molin mbi liqen, kënde lojërash për fëmijë, korsi biçikletash si dhe ambiente sportive për volejboll, basketboll, tenis dhe futboll. Parku frekuentohet çdo ditë nga mijëra qytetarë, veçanërisht gjatë ditëve me mot të mirë, duke shërbyer si një hapësirë çlodhjeje, aktiviteti fizik dhe socializimi.
Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Suli i tha kryeministrit Rama se Parku i Liqenit të Paskuqanit është ndërtuar nga e para dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për të gjithë zonën.
“E gjithë kjo sipërfaqe është 84 hektar dhe vetëm pasqyra e ujit e liqenit që është rreth 18 hektar dhe këtu e kemi mbushur me pemë, ku shikojmë rreth 80 mijë pemë. Ambientet sportive që sheh këtu, Kryeministër, janë e njëjta dhe nga pjesa Paskuqanit sepse parku kufizohet me Bathoren dhe Paskuqanin që rrethon rreth 152 mijë banorë, që i shërben ky park dhe i njëjti ambient me fusha volejbolli, basketbolli, tenisi, me kalçeto”, tha kryebashkiaku i Kamzës.
