Homazhet për 21 Janarin, Rama: As drejtësia e re nuk ka mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë

AKTUALITET


Këtë të mërkurë, në Kryeministri po zhvillohen homazhe me rastin e 15-vjetorit të ngjarjes së rëndë të 21 Janarit 2011, ku në protestën e thirrur nga Partia Socialiste humbën jetën katër persona.

Kreu i qeverisë, Edi Rama u shpreh se reagimi i protestuesve 15 vjet më parë erdhi pas përpjekjes së policisë për ta shpërndarë tubimin ende pa u mbledhur. Më tej ai shtoi se në përfundim të protestës armët u ulën në drejtim të qytetarëve duke marrë katër jetë të pafajshme dhe duke plagosur disa protestues të tjerë.
https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fvideos%2F4304372056488714%2F&show_text=false&width=560&t=0
“Pasojë fatale e mendjes kriminale e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin pa u treguar kundërshtarëve politikë dhe shqiptarëve se të vriste me të vërtetë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndjen një gur në zemër sa herë që vjen 21 janari dhe nuk ka drejtësi për familjarët e katër viktimave.

“Vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që më tregon përmes një sekëlldie të madhe se sa më i madh bëhet në çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjarë të katër dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj, për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi për 21 janarin, janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar. Ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vjetët e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dhe poshtërim. Atyre që ndër ju ishin gjyshër, u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër. Atyre që ishit fëmijë u ka ardhur koha për t’u bërë prindër. Ndërsa atyre katër copave të shpirtit tuaj nuk u ka ardhur koha ende të prehen qetë, sepse as përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë për 21 janarin”, tha Rama. Kreu i qeverisë shtoi se pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dy vite më parë, prokurorët e posaçme duhet ta kishin kërkuar deri tani drejtësinë.

“Nuk ka mjaftuar as vendimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut më shumë se dy vjet më parë që prokurorët speciale të kësaj republike t’ia kishin kërkuar deri tani gjykatës speciale drejtësinë për katër vrasjet shtetërore të 21 janarit ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit para ligjit prej plot gjashtë vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikim me durim dhe heshtje nga ana jonë, të gabimeve të tyre ndonjëherë tejet shqetësuese si gabime të rritjes së një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës”tha Rama.



Skip to toolbar