Nisma e Ruttes irriton aleatët e NATO-s: Nuk kishte mandat për të negociuar me Trumpin

BOTA


Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, ka qenë i prerë. “Rutte nuk mund të negociojë për ne”, tha ai. Deklarata nuk është thjesht një sqarim, por një distancim i qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe nuk lidhet vetëm me çështjen e Groenlandës. Brenda Bashkimit Evropian kanë ekzistuar pakënaqësi për qëndrimin e Rutte-s ndaj presidentit amerikan Donald Trump, i konsideruar nga disa liderë si tepër i nënshtruar.

Ky vlerësim çoi edhe në një vendim domethënës: Rutte nuk u ftua në Këshillin Evropian informal të zhvilluar një ditë më parë. Edhe pse formalisht ai nuk është pjesë e këtij forumi, në raste të tjera ka marrë pjesë. Këtë herë, mungesa e tij u pa si e qëllimshme, pasi takimi do të kishte qenë një mundësi për të raportuar mbi bisedimet me Trump dhe për hipotezën e një marrëveshjeje për Groenlandën. Vendimi i presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, nuk konsiderohet rastësor, sidomos pas dyshimeve të vazhdueshme mbi afërsinë e Rutte-s me Shtëpinë e Bardhë, të përforcuara edhe nga nofka “babush” që ai i kishte vënë Trump-it muaj më parë.

Burime evropiane theksojnë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk ka marrë një mandat formal për të negociuar këtë çështje me presidentin amerikan. Ai ka pasur kontakte telefonike me Antonio Costën, kryeministren daneze Mette Frederiksen, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, nga të cilët ka marrë udhëzime vetëm për “vijat e kuqe” që nuk duhen kaluar, por jo për përmbajtjen e ndonjë marrëveshjeje. Për këtë arsye, në Bruksel, si në Komision ashtu edhe në Këshill, askush nuk ka dijeni për detajet konkrete të asaj që mund të jetë diskutuar me Trump-in, çka ka shtuar dyshimet.

Megjithëse evropianët janë të lehtësuar që Uashingtoni u tërhoq, duke shmangur një luftë të re tregtare dhe një përplasje të mundshme brenda NATO-s, ata ia atribuojnë këtë jo aftësive ndërmjetësuese të Rutte-s, por “qëndrimit të fortë” të BE-së. Nuk ka pasur asnjë falenderim publik për ish-kryeministrin holandez.

Zërat nga Danimarka dhe Groenlanda e konfirmojnë klimën e ftohtë. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederick Nielsen, theksoi se “askush tjetër përveç Groenlandës dhe Mbretërisë së Danimarkës nuk ka mandat të lidhë marrëveshje për Groenlandën pa ne”. Edhe ministrja e Jashtme e Groenlandës, Viviane Motzfeldt, paralajmëroi se “nuk arrihet asnjë marrëveshje pa pjesëmarrjen tonë dhe ne ende duhet të shprehim rezervat tona”. Ndërsa kryeministrja daneze Frederiksen nënvizoi se Danimarka ka “vija të kuqe” dhe se sovraniteti nuk është i negociueshëm, por shtoi se vendi është i hapur për diskutime me SHBA-të mbi forcimin e bashkëpunimit për sigurinë në Arktik.

Takimet pritet të vazhdojnë tashmë në format trilateral: SHBA–Danimarkë–Groenlandë. Nga ana e tij, Mark Rutte deklaroi se “fjalët e Donald Trump mund të besohen”, një bindje që, sipas shumë liderëve evropianë, nuk ndahet në të njëjtën mënyrë. Në Evropë po përgatiten masa mbrojtëse, pasi frika se Trump mund të ndryshojë sërish qëndrim nuk konsiderohet e largët. Marrëdhëniet transatlantike, sipas vlerësimeve në Bruksel, kanë ndryshuar përgjithmonë.



Skip to toolbar