E konfirmon edhe IGJEO: Fundjava me reshje, erë e fortë në bregdet! Shtrëngata në..

AKTUALITET


Në 24 orët e fundit priten reshje intensive në veri dhe jug të vendit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), mbrëmjen e së shtunës dhe gjatë ditës së diel priten reshje lokalisht intensive në qarkun Shkodër, ndërsa reshje mesatare në qarqet Kukës dhe Vlorë, të shoqëruara me shtrëngata. Në të gjitha qarqet e tjera priten reshje të dobëta.

Në veri, në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore. Sipas IGJEO, shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh dhe inertesh, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarkun Shkodër.

Problematike do të jetë edhe parametri i erës, pasi parashikohet që prej pasdites së të shtunës dhe gjatë të dielës era të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në zonat malore.

Temperaturat e ajrit, në vlerat maksimale, do të rriten me rreth 5 gradë Celsius, duke bërë që gjatë ditës së diel temperaturat në të gjithë vendin të jenë në vlera pozitive.

Në zonat malore, temperaturat minimale do të jenë 2 gradë Celsius, ndërsa vlerat maksimale ngjiten deri në 12 gradë Celsius. Zonat e ulëta dhe ato bregdetare do të kenë temperatura nga 9 deri në 19 gradë Celsius.



Skip to toolbar