Sali Berisha paralajmëroi se opozita është në kilometrin e saj të fundit, në protestën që thirri poshtë zyrës së qeverisë. Para tre mijë mbështetësve, Sali Berisha tha se e kishin plagosur atë që e quajti narkodiktaturë, duke numëruar në fakt dosjet hetimore të SPAK, organit që ai e sulmon çdo javë.
Por në fjalën e Berishës, kur ai foli për atë që e quajti mbështetje ndërkombetare, munguan referenca ndaj shteteve të bashkuara. Gjithashtu në protestë mungoi karikatura e përhershme e Edi Ramës veshur si Maduro në momentin e arrestimit të tij nga forcat Delta.
Gjithashtu në protestë nuk u panë më flamuj të Shteteve të Bashkuara. Në protestë ishte dhe Ervin Salianji dhe Ilir Vrenozi, të cilët u kujdesën të ruanin një farë distance nga të tjerët. Në protestë nuk foli kësaj radhe Klevis Balliu. Ai ishte zëvendësuar nga Luciano Boçi. Protesta u shqua nga thirrjet kundër gazetarëve dhe mediave që nuk janë radhitur pro PD.
