“Rama një mik i madh i popullit hebre dhe i imi”, Netanyahu: Përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë

AKTUALITET


Në konferencën e përbashkët për mediat në Izrael, kryeministri Netanyahu vlerësoi kryeministrin Rama, ndërsa e konsideroi atë mik të popullit hebre dhe të tijin. “Bota duhet ta dijë, tha me tej Netanyahu se Shqipëria ishte i vetmi vend europian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë.

“Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre, një mik i madh i shtetit hebre, mund të them po kështu edhe një mik i madh i imi. Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta njerëzit nuk e dinë, dhe bota duhet ta dijë, që Shqipëria ishte i vetmi vend europian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë, që u rrit, e nuk u mpak, u rrit sepse shqiptarët, myslimanët shqiptarë, në frymën e moderimit, në frymën e tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor, mbrojtën qindra hebrenj që jetonin asokohe në Shqipëri, e po kështu, mikpritën shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni.

Kjo është ajo histori që, siç po flisnim pak minuta më parë, është histori që bota duhet ta njohë. Kjo është histori, siç ju thatë që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore. Kjo është ajo frymë që ju vazhdoni ta ushqeni dhe sot, miku im i mirë Edi.

Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju sprapsin, ju qëndroni krahë së vërtetës, ju qëndruat krahë Izraelit kur u sulmuam nga barbarët, busulla juaj morale nuk u lëkund, dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe mendoj për ato segmente njerëzimi që duan që e vërteta të mbrohet e të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë.” u shpreh ai, ndërsa vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Po kështu e jo çuditërisht, ne po ndërtojmë marrëdhënie të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Izraelit dhe numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%, ndoshta 1000, dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Dhe mund t’ju them të gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm, kështu që shkoni atje, kjo ishte e para.

E dyta kemi kompani investuese izraelite, të cilat, dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe që ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët. Kjo do të çohet edhe më tej me çeljen e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem, mendoj nesër me praninë e Kryeministrit Rama dhe kjo është diçka që mendoj se do të çojë përpara lidhjet ekonomike.

E së fundi do doja të thoja që ne po kështu kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore, njohim që ka një themel afërsie e vëllazërimi midis dy popujve tanë, e dua të them edhe një bazë vëllazërimi midis të dyve prej nesh. Pra, mirëserdhët këtu! Faleminderit shumë, kryeministër!” përfundoi Netanyahu.



Skip to toolbar