Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News e vlerësoi si të suksesshme Reformën Territoriale të vitit 2014.
Ai theksoi se reforma solli reduktimin e njësive vendore nga 373 bashki dhe komuna në 61 bashki, duke rritur ndjeshëm funksionalitetin e tyre. Sipas Maznikut, megjithëse bashkitë sot janë më efikase, vijojnë të ekzistojnë sfida, veçanërisht në sigurimin e fondeve dhe kapaciteteve teknike, si mungesa e inxhinierëve për hartimin e planeve urbanistike.
Ai nënvizoi nevojën për gjetjen e një ekuilibri mes ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe mundësive reale të institucioneve vendore, duke theksuar se bashkitë e vogla nuk kishin ekonominë e shkallës dhe kapacitetet e nevojshme për të garantuar shërbime cilësore.
