Rreth 1 milion euro pasuri janë sekuestruar në Pogradec dhe në Tiranë, të cilat rezultonin në emër të një pensionisteje, por nga hetimi ka rezultuar se këto pasuri janë blerë me paratë që i sillte e bija nga Italia, ku akuzohet bashkë me bashkëjetuesin e saj për mashtrime financiare.
Policia tha se sekuestrimi i pasurive u bë gjatë operacionit të koduar “Transferta, në funksion të procedimit penal të vitit 2018, regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Bazuar në vendimin e datës 05 korrik të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec u vendos sekuestro preventive mbi 2 apartamente banimi në Pogradec, me sipërfaqe 175 m2; 4 apartamente banimi në Tiranë, me sipërfaqe 420 m2 dhe 1 njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe 106.5 m2. Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 1 milion euro.
Pogradecarja Almanda Durollari dhe italiani Francesko Cocilovo janë proceduar më parë nga autoritetet gjyqësore italiane, nga Guardia di Finanzia e Comos, për veprat penale të mashtrimeve financiare, falsifikimit dhe shitjes së produkteve me shenja false. Nga hetimi ka rezultuar se të dyve, Guardia di Finanza iu ka sekuestruar rreth 2.388.611 Euro në Itali, të cilat dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i tyre.
Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Pogradec, rezultoi se Almanda bashkëjeton me italianin Francesko në Itali. Për të fshehur dhe justifikuar këto prona të blera në Shqipëri, i kanë regjistruar në emër të Vergjinush Durollari, me banim në Pogradec, e cila rezulton se është pensioniste dhe nëna e Almandës.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, po vijon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm të këtyre personave, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Prokuroria e Pogradecit tha se një hetim shtatë mujor ka nxjerrë në sipërfaqe skemën e pastrimit të parave në Tiranë dhe Pogradec, ku pensionistja 76-vjeçare rezulton të ketë pasuri të shumta. Sasia e eurove që përllogaritet diku te 700 mijë euro është transferuar në Shqipëri në llogaritë bankare të 76 vjeçares Vergjinush Durollari, banuese në Pogradec. E moshuara, sipas të dhënave nuk ka asnjë mundësi veprimi për të arritur të gjenerojë sasinë prej 700 mijë eurosh. Hetimi i kësaj çështjes është administruar prej muajit tetor 2018 nga prokurori i Pogradecit Sotir Kllapi, i cili në bashkëpunim edhe me oficerët e Drejtorisë së Policisë Korçë, kanë arritur të bien në gjurmët e origjinës së parave që kanë mbërritur në Shqipëri, në llogaritë bankare të pensionistes Vergjinush Durollari.
Sipas burimeve, Vergjinush Durollari është bërë pronare e sasive të parave që vinin nga Italia, për shkak se vajza e saj Almanda Durollari bashkëjeton me italianin Francesko Cocilovo. Almanda dhe Francesko janë hetuar nga autoritet gjyqësore italiane në Como, për akuzën e mashtrimit me TVSH, falsifikimit dhe shitjes së produkteve me shenja false, duke përfituar në formën e rimbursimit nga Ministria e Financave në Itali, një shumë prej mbi 2.388.611 Euro.
Këto para janë sekuestruar në Itali, ndërkohë që mbi 700 mijë euro çifti i bashkëjetuesve i ka sjellë në Shqipëri, duke përdorur disa transferta. Sasia e eurove është dërguar në llogaritë e nënës së Almanda Durollarit, Vergjinushes, e cila më pas ka blerë pasuri të paluajtshme në Pogradec dhe Tiranë. Disa nga pasuritë e blerë janë makina, apartamente dhe dyqane, për të cilat tashmë prokuroria ka sekuestruar kontratat e blerjes dhe kontratat e porosisë që janë kryer në emër të Vergjinush Durollarit.