Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin e Rughit, një fshat në Piana di Lucca të Italisë, ku një familje shqiptare është gjetur e pajetë nga monoksidi i karbonit. Siç shkruajnë mediat italiane, viktimat janë babai 48-vjeçar, nëna 42-vjeçare, djali 23-vjeç dhe vajza më e vogël, vetëm 15 vjeç.
Sipas të dhënave të para, shkaku i vdekjes së tyre dyshohet të ketë qenë thithja e monoksidit të karbonit nga një sistem ngrohjeje i prishur. Ekspertët e zjarrfikësve do të kryejnë hetimet teknike për të saktësuar shkakun e ngjarjes.
Ngjarja u zbulua pasi familja nuk iu përgjigj telefonatave të një të afërmi të familjes. Vëllai i pronarit të shtëpisë shkoi për të kontrolluar dhe, duke kuptuar tragjedinë, njoftoi autoritetet. Në vendngjarje u dërguan zjarrfikësit, karabinierët dhe shërbimet e emergjencës. Fatkeqësisht, kur arritën, të katër anëtarët e familjes ishin tashmë të vdekur.
Tre ushtarë të Armatës, të cilët u përpoqën të shpëtonin familjen Kola, u intoksikuan lehtë dhe u shtruan për kontrolle mjekësore, por gjendja e tyre është e stabilizuar. Edhe një i afërm i familjes, i cili ishte i pari që shkoi në vilë, u dërgua në spital.
Kryetari i bashkisë Leonardo Fornaciari shprehu ngushëllimet e tij: “Dhimbje e madhe, nuk ka fjalë për të shprehur atë që po ndjejmë në këtë moment. Duhet vetëm të mbështesim familjarët e tjerë.”
Monoksidi i karbonit është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë dhimbje koke, marramendje, konfuzion, humbje të vetëdijes dhe vdekje, sidomos kur viktimat janë duke fjetur, gjë që e bën të vështirë zbulimin e rrezikut në kohë.
Hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes do të vazhdojnë në ditët në vijim.
