I pandehur për korrupsion, “Abi” sulmon SPAK/ Dosja “Partizani”, dhëndri i Berishës ankohet për gjyq politik

AKTUALITET


Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi ka sulmuar prokurorët e SPAK, duke e cilësuar procesin ndaj tij si “përndjekje politike” dhe jo hetim penal. Malltezi nuk është ndalur me kaq por sipas pretendimeve të tij organin e akuzës ka administruar si prova disa dokumente të falsifikuara dhe qëndrime të motivuara politikisht.

Kjo sjellje në banka e të akuzuarit nga Malltezi, ka bërë që prokurorja Enkeleda Minollai të kërkojë ndërhyrjen e Gjykatës për të ndaluar sulmet ndaj SPAK.

Gjyqtarja Elsa Ulliri i ka tërhequr vëmendjen dy herë Jamarbër Malltezit që ti përmbahet parashtrimeve dhe të ndal akuzat ndaj Enkeleda Millonait dhe prokurorit tjetër Arben Kraja.

Por pavarësisht debateve në sallë, dhëndri i Sali Berishës pretendoi se në dosjen “Partizani” janë konstatuar dhjetëra shkelje dhe se procesi ndaj tij është ngritur mbi kallëzime Politike.

Çështja “Partizani” mbetet një nga proceset më të rëndësishme të korrupsionit në vend. Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha dhe Malltezi janë në këtë proces gjyqësor për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” dhe ndërtimin aty të 17 pallateve – një biznes që sipas SPAK i mundësoi Malltezit që të fitonte 5.4 milionë euro nga ndërtimi. Sipas SPAK në cilësinë e kryeministrit, Sali Berisha ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.



Skip to toolbar