Kriza e Washington Post-it është ajo që bën më shumë lajm, sepse godet gazetën e kryeqytetit, e cila zë një vend të veçantë në panteonin e shtypit amerikan, për rolin që pati në rrëzimin e presidentit Richard Nixon me skandalin Watergate (1974).
Për më tepër, pronari i saj është Jeff Bezos i Amazon-it, i akuzuar se dëshiron t’i afrohet Donald Trump-it, madje i dyshuar se synon të dobësojë opozitën ndaj presidentit nga ana e gazetarëve të tij. Por ky është vetëm kapitulli i fundit i një rënieje më të vjetër, më të gjerë dhe me shkaqe të shumta.
Në fillim të shkurtit të vitit 2026, Washington Post njoftoi një reduktim drastik të stafit, rreth një të tretën e personelit të përgjithshëm, me qindra shkurtime edhe në redaksi. Fushat e prekura përfshinin, ndër të tjera, sportin, librat dhe një pjesë të mbulimit ndërkombëtar, në kuadër të një ristrukturimi që synon ta bëjë gazetën financiarisht të qëndrueshme.
Në prag të shkurtimeve, disa gazetarë i kërkuan publikisht Jeff Bezos-it të ndërhynte për të ndalur ose zbutur reduktimin e stafit. Heshtja e tij u perceptua si domethënëse, si pronar dhe vendimmarrës i fundit i strategjisë së kompanisë.
Sindikata që përfaqëson shumicën e punonjësve të Post-it denoncoi një “zbrazje” progresive të gazetës, duke argumentuar se shkurtimet do të komprometonin besueshmërinë dhe cilësinë e informacionit. Disa përfaqësues sindikalë deklaruan se, nëse Bezos nuk ka më ndërmend të investojë në misionin e gazetës, Post-i do të meritonte një pronar tjetër të gatshëm ta bëjë këtë.
Edhe ish-drejtori Martin Baron foli për një nga momentet më të errëta në historinë e gazetës, duke kritikuar disa zgjedhje të fundit mbi pronësinë, të konsideruara të dëmshme për markën dhe identitetin editorial.
Por kriza e madhe e gazetarisë amerikane kishte nisur para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Mes viktimave kishte edhe gazeta po aq prestigjioze sa Washington Post.
Në janar 2024, Los Angeles Times shkurtoi të paktën 115 vende pune në redaksi, mbi 20% të stafit gazetaresk, përballë humbjeve vjetore të vlerësuara midis 30 dhe 40 milionë dollarësh. Deri pak kohë më parë, redaksia numëronte mbi 500 gazetarë, por rënia e të ardhurave nga reklamat dhe vështirësitë e tregut imponuan një reduktim drastik. Megjithatë, Los Angeles Times i janarit 2024 ishte prej kohësh hija e vetvetes: deri në vitet ’90, para se të shfaqej interneti, kishte qenë një gjigant që rivalizonte me New York Times për rrjetin e zyrave të korrespondentëve jashtë vendit.
Boston Globe, i bërë i famshëm, ndër të tjera, për gazetarinë investigative që zbuloi skandalet e pedofilisë në kishën lokale, shpesh përmendet si një nga rastet relativisht më të suksesshme në tranzicionin digjital mes gazetave të mëdha lokale. Megjithatë, tirazhi i printuar ka rënë me mbi 50% krahasuar me periudhën para pandemisë. Edhe rritja e abonimeve digjitale, që fillimisht kompensoi pjesërisht humbjet, është ngadalësuar vitet e fundit.
Chicago Tribune, një tjetër gazetë me të kaluar (të largët) të lavdishme, por që përfundoi nën kontrollin e fondit Alden Global Capital, është bërë simbol i kritikave ndaj modelit të fondeve të investimit të akuzuara se “shtrydhin” redaksitë. Gjatë një greve në vitin 2024 u kujtua se stafi kishte rënë nga mbi njëqind gazetarë në më pak se tetëdhjetë brenda pak vitesh. Edhe tirazhi i printuar ka vazhduar të shënojë rënie dyshifrore.
Rënia e San Francisco Chronicle daton që nga fillimi i mijëvjeçarit. Jo rastësisht, duke qenë në kryeqytetin e Silicon Valley dhe të kompanive të mëdha të teknologjisë (shkurt Big Tech), ishte ndër të parat që pësoi tronditjen e konkurrencës digjitale. Në vitin 2007 njoftoi një plan për të shkurtuar 25% të vendeve të punës në redaksi. Në vitet pasuese, pronësia e Hearst përdori disa herë skema daljeje vullnetare për të ulur kostot, në një kontekst të ardhurash në rënie. Ironia e historisë: grupi botues i San Francisco Chronicle ishte themeluar nga William Randolph Hearst, manjat i shtypit në fillim të shekullit XX, që frymëzoi personazhin e “Citizen Kane”, kryevepra filmike e Orson Welles (“Quarto Potere” në Itali).
Mes pak botuesve që sot shkojnë kundër rrymës duhet përmendur Rupert Murdoch. Ai ka vendosur të zgjerojë modelin e tabloidit të tij New York Post në Kaliforni, me lançimin e një gazete të re, California Post, në format të printuar dhe online. Nisma u prezantua si përpjekje për të shfrytëzuar hapësirat e lëna bosh nga zvogëlimi i redaksive tradicionale në shtet. Gazeta e re adopton një stil agresiv dhe popullor, të ngjashëm me New York Post, dhe synon një prani të fortë digjitale, me akses falas online, në kontrast me modelin me pagesë të shumë konkurrentëve.
Në një industri në tkurrje, operacioni i Murdoch-ut përfaqëson një rast të izoluar investimi ekspansiv, i bazuar në idenë se kriza e mediave tradicionale hap mundësi për modele të ndryshme dhe më të orientuara nga tregu. Ka edhe një ngjyrim politik: megjithëse ka pasur përplasje të përsëritura me Trump-in, Post-i i Murdoch është një gazetë e djathtë, në luftë kundër kulturës “woke”, dhe duket se mendon se ka një treg në Kaliforni, bastion i së majtës.
Gazetat e famshme nuk e shterojnë panoramën. Peizazhi i shtypit lokal është veçanërisht i rrënuar. Në 20 vitet e fundit, gati 40% e gazetave lokale amerikane janë zhdukur, me mbi 130 mbyllje vetëm në vitin e fundit dhe zona të gjera të vendit që janë kthyer në “shkretëtira informacioni”, ku nuk ekziston mbulim i besueshëm i lajmeve lokale. Në Wyoming u mbyllën tetë gazeta njëherësh, duke lënë komunitete të tëra pa shtyp. Punësimi në redaksitë amerikane ka rënë në mënyrë drastike në dekadat e fundit.
Nga viti 2005 deri në 2025-ën, rreth 365 mijë vende pune në gazetat e përditshme janë zhdukur, ndërsa tirazhi dhe të ardhurat vazhdojnë të bien. Humbjet nuk kufizohen te gazetat e shtypura: edhe faqet digjitale dhe mediat online kanë bërë shkurtime dhe riorganizime, sidomos gjatë dhe pas pandemisë COVID-19.
Faktorët strukturorë të rënies janë të njohur: humbja e të ardhurave nga reklamat në favor të platformave digjitale si Google dhe Meta; reduktimi i abonimeve tradicionale; vështirësitë për të monetizuar përmbajtjen online; ndryshimi i mënyrës së konsumimit të lajmeve, me publikun që zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt rrjeteve sociale dhe agregatorëve.
Por ka edhe nga brenda botës së mediave që ftojnë gazetarët në autokritikë dhe marrje përgjegjësie. Një rast autoritar është ai i Gerard Baker, britanik i natyralizuar amerikan, me një të kaluar si figurë kryesore e gazetarisë britanike (BBC dhe Financial Times), më pas për vite me radhë drejtor i Wall Street Journal, ku mbetet editor. Baker publikoi një aktakuzë të ashpër mbi problemet e brendshme të shtypit që, sipas tij, kanë kontribuar në rënie. Titulli i editorialit të tij është provokues: “Kërcënimi më i madh për gazetarinë? Gazetarët”. Disa fragmente:
“Mos ua hidhni fajin pronarëve grabitqarë për humbjen e besimit të publikut. Faji është i një informacioni të njëanshëm dhe të paaftë.”
A ekziston një kategori njerëzish me vetëbesim më të pakufizuar ose me vetëdije më të atrofizuar (tkurrur) se gazetarët amerikanë?
“Demokracia vdes në errësirë”, na thonë, duke lënë të kuptohet se vetëm pishtari i ngritur nga operatorët e guximshëm të mediave kombëtare mban ndezur dritën e lirisë në muzgun e një epoke autoritare. Është e vërtetë që, në mungesë të burimeve të pavarura dhe të besueshme, pushteti përqendrohet pa përgjegjësi. Por në këtë shpallje të domosdoshmërisë së vetes, nuk ka asnjë referencë për rolin që vetë gazetarët kanë pasur në minimin e besimit të publikut.
Nuk dua t’i bashkohem elegjive emocionale që po shkruhen për Washington Post-in pas raundit të fundit të shkurtimeve. Kam miq dhe ish-kolegë të talentuar që po përpiqen ta ringrejnë gazetën dhe u uroj çdo sukses. As nuk do t’i bashkohem kënaqësisë së disa kritikëve për qindra njerëz që kanë humbur punën. Njerëz të vlefshëm do të përballen me vështirësi, të paktën për një kohë.
Por dua të kundërshtoj idenë se pronarë pa zemër ose një menaxhim mizor kanë përdhosur një thesar kombëtar. Kundërshtoj edhe vajtimin më të gjerë sipas të cilit forca politike dhe ekonomike dashakeqe kanë minuar në mënyrë fatale vitalitetin e gazetarisë amerikane.
Ajo që i ka ndodhur Post-it është, pjesërisht, ajo që u ka ndodhur shumicës së organizatave tradicionale të lajmeve në 20 vitet e fundit, me një ose dy përjashtime të ndritshme: modele biznesi të tronditura nga kolapsi i reklamave, shumim i burimeve alternative të informacionit, specializim në rritje i zgjedhjeve të publikut. Ideja se tregu ka ende vend për dhjetëra gazeta të mëdha që ofrojnë produkte të ngjashme “nga A në Z” në një epokë shijesh të personalizuara dhe përmbajtjesh të fragmentuara është anakronike.
Por faktori më i rëndësishëm është roli që vetë gazetarët kanë pasur në rënien e besimit të konsumatorëve të lajmeve. Kudo që këta njerëz mblidhen (më besoni, kam marrë pjesë në shumë prej këtyre seancave “terapeutike”), ankesa është e fortë dhe e drejtuar nga jashtë. Qajnë për faktorët që, sipas tyre, i kanë çuar drejt braktisjes: “dezinformimi” i mediave sociale, propagandistët e djathtë, Donald Trump.
Tani paralajmërojnë se zvogëlimi i Post-it dhe i shumë burimeve të tjera më pak të njohura përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për lirinë tonë, një dorëzim të mëtejshëm nga drejtues frikacakë përballë kërcënimit të Trump-it.
Sulmet e presidentit ndaj mediave janë të pajustifikueshme dhe shqetësuese. Por arsyeja kryesore pse ai ia del mbanë është se besimi në ndershmërinë e këtyre institucioneve ishte tashmë i shkatërruar nga puna e tyre e njëanshme. Lista e shtrembërimeve të fundit mediatike, nga komploti i pretenduar Russiagate te Black Lives Matter, është e gjatë. Por forma më e rëndësishme dhe më tinëzare e paragjykimit, sepse është vështirë e matshme, nuk lidhet me atë që lajmet tregojnë. Lidhet me atë që zgjedhin të mos tregojnë.
Gazetaria investigative është jetike, por për shumicën e gazetarëve personat dhe institucionet që duhet të mbahen përgjegjës janë vetëm ata që hyjnë në “demonologjinë” e tyre selektive: kompanitë dhe drejtuesit e tyre, të pasurit, politikanët e djathtë. Sindikatat? Burokracitë? Institucionet akademike? Shumë më pak.
Për të dhënë një shembull aktual të këtij rrëfimi selektiv, le të marrim mënyrën se si është trajtuar kohët e fundit çështja e emigracionit.
Si shumica e njerëzve, jam i tmerruar nga disa nga skenat e para në rrugët amerikane gjatë vitit të fundit. Mediat kanë bërë mirë që kanë denoncuar teprimet e ICE-së, dhe meritojnë vlerësim nëse kanë kontribuar në imponimin e një ndryshimi taktike nga Administrata.
Por sa media, në dhjetë vitet e fundit, kanë treguar se si emigracioni masiv ka ndikuar në komunitetet amerikane? Sa prej tyre kanë mbuluar presionin e ushtruar mbi buxhetet e shkollave dhe shërbimeve shëndetësore? Kanë shkruar shumë për kontributin e çmuar të këtyre emigrantëve në ekonominë amerikane, por sa prej tyre kanë marrë në konsideratë edhe kostot?
Mijëra emigrantë të paligjshëm ndodhen në burg ose në paraburgim për krime që nuk lidhen me statusin e tyre migrator. Sa gazeta u kanë kushtuar artikuj të gjatë atyre krimeve ose viktimave të tyre?
Para skenave të fundit me burra të maskuar që nxirrnin njerëz nga makinat në parkingje, Trump regjistronte rezultate jashtëzakonisht të mira mes latinëve. Kur ky fakt përmendej në gazeta, shpesh shoqërohej me një lloj mosaprovimi të hutuar, pak reporterë janë përpjekur ndonjëherë të kuptojnë çfarë mendojnë emigrantët e ligjshëm dhe fëmijët e tyre për padrejtësinë e emigracionit masiv të paligjshëm.
Tregu ynë mediatik është ende i gjallë, por gjerësisht i polarizuar përgjatë vijave partiake. Pavarësisht histerisë, ai nuk është i vdekur as në prag vdekjeje, por ka ndryshuar, në mënyra që e bëjnë më të sinkronizuar me publikun e vet dhe më pak efektiv si instrument përgjegjësie institucionale.
Pikërisht në momentin kur Amerika do të kishte më shumë nevojë për një shtyp të besueshëm për të zbuluar dhe denoncuar teprimet e një pushteti ekzekutiv jashtë kontrollit, operatorët e tij kanë shpërdoruar besimin e publikut.
Shkrim nga Federico Rampini për Corriere della Sera

