Rama: AKSHI do të ketë pagat më të larta në Shqipëri

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, duke njoftuar gjithashtu një ndërhyrje ligjore për rritjen e pagave të stafit të AKSHI-së. Sipas Ramës, kjo është një masë për të vlerësuar dhe ruajtur talentin në shërbimin publik, duke siguruar që ekspertët digjitalë të mos braktisin institucionin për sektorin privat.

“Kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion për të bërë një rritje domethënëse të pagave tuaja, për të treguar që ne ju kemi shumë të çmuar, ju kemi shumë të shtrenjtë, dhe nuk duam që ju ta braktisni shërbimin publik dhe talentin tuaj ta vini në dispozicion të sektorit privat”, tha Rama.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e punës së stafit nën drejtimin e ish-drejtores Linda Karçanaj, që solli revolucionin digjital duke bërë Shqipërinë lider në rajon dhe shembull pozitiv në qeverisjen digjitale.

“Ky ekip është një nga asetet më të rëndësishme të vendit, dhe jam i keqardhur që disa mes tyre janë vënë në presion, janë keqtrajtuar dhe abuzuar, dhe janë përballur me metoda shtrënguese nën një vend demokratik. Por jetojmë në një fazë të historisë sonë ku ndodh një tjetër revolucion më i egër dhe me më shumë plagë e brutalitete, por i domosdoshëm: revolucioni i sistemit të drejtësisë, nga një kalbësirë e gjallë në një sistem të drejtë, të barabartë dhe funksional. Jemi ende larg, por rruga është pa kthim’, tha Rama.

Rama komentoi sfidat që kanë përballuar disa punonjës të AKSHI-së lidhur me drejtësinë, por shtoi se veprimtaria e AKSHI-t nuk mund të jetë e pahetueshme.

“Në këtë revolucion, ne jetojmë në një fazë ku nuk është prezumimi i pafajësisë që udhëheq veprimtarinë e drejtësisë, por prezumimi i fajsisë. Në një botë të drejtë, të gjithë duhet të prezumohen të pafajshëm, por ndodh e kundërta, dhe ky është një moment i vështirë. Për ne është e rëndësishme që ky institucion të vijojë punën dhe të jetë një zi-far që orienton të gjithë lëvizjet sa i përket revolucionit digjital.

Është fatkeqësi që emri i AKSHI-t të njolloset, por nuk mund të themi se për shkak të gjithë transformimeve AKSHI është i pahetueshëm apo se një veprimtari e saj mund ta përfaqësojë këtë. Këtë nuk mund ta pretendojmë dot”, tha Rama.



Skip to toolbar