Analisti Plator Nesturi i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News tha se Ervin Salianji shërben si një “skaner” për të kuptuar situatën aktuale në PD, ndërsa duartrokitjet ndaj tij nuk lidhen domosdoshmërisht me figurën personale, por me pakënaqësinë ndaj lidershipit aktual. Analisti theksoi se një pjesë e demokratëve e ndjejnë të pamundur vijimin me një drejtim që, sipas tij, është i konsumuar dhe e ka mbajtur partinë të mbyllur.
Nesturi u shpreh se Salianji nuk ka arritur të ndërtojë një lëvizje të gjerë brenda partisë për ta transformuar atë, duke shtuar se ai nuk përbën rrezik real për Sali Berisha, i cili, sipas analistit, i ka paraprirë çdo tentative të tillë. Në këtë kuadër, për Nesturin, lëvizja e Salianjit nuk pritet të prodhojë zhvillime të reja në raport me drejtimin e PD-së.
“Salianji është një lloj skaneri se çfarë po ndodh tek PD. Duartrokitjet e demokratëve nuk i shikoj vetëm për Salianjin, por e ndjejnë se nuk mund të shkohet me një lidership që së pari është non grata, është një figurë e vjetër që ka mbyllur partinë.
Salianji nuk arrin dot gjithsesi që të bëjë një lëvizje dhe të grumbullojë rreth vetes të gjithë ata që mendojnë se kjo parti duhet të hapet dhe të transformohet. Në këtë kuadër Salianji thjeshtë bën skanerin se çfarë ndodh në PD, por nuk e shikoj një rrezik ndaj Berishës, sepse edhe i ka paraprirë deri diku, sepse që në fillim ia ka prerë këtë rrugë. Salianji ka dashur një lëvizje për të zënë radhën, ama nuk e shikoj si një lëvizje që do të prodhonte diçka”, tha Nesturi.
