Kërkesa e Erion Veliajt për pavlefshmërinë e akteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme është rrëzuar nga Gjykata e Lartë.
“Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga Erion Veliaj kundër vendimit 228(87-2025-359) datë 20.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Kryetari i bashkisë së Tiranës ka pretenduar se hetimet e SPAK janë kryer në shkelje të ligjit.
Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe e Apelit i rrëzuan kërkesat gjatë muajve shtator–tetor të vitit 2025.
Në kërkesë argumentohej se SPAK tejkaloi afatet hetimore, dhe se Prokurori që kreu hetimet, Ols Dado ishte emëruar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu si arsye për të shpallur të pavlefshme hetimet, renditej edhe fakti se kallëzimi është bërë nga një person anonim, dhe nuk është bërë asnjë verifikim për identifikimin e tij.
Veliaj ka thënë më vonë se denoncimi është bërë nga një person i quajtur Nesti Angoni, por i cili është i sajuar dhe nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile.
Në kërkesë, kryebashkiaku pretendon se nuk i është dhënë e drejta për mbrojtje efektive, pasi i është refuzuar koha e nevojshme për njohjen e akteve. Në procesin hetimor, sipas tij, janë përdorur ekspertë të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë.
