Ish-Princi Andrew lirohet disa orë pas arrestimit për dosjen “Epstein”

BOTA


Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar nga policia britanike, duke u bërë anëtari i parë i familjes mbretërore në historinë moderne që ndalohet nga autoritetet.

66-vjeçari u shoqërua në komisariat mëngjesin e së enjtes, pas një kontrolli në banesën e tij të përkohshme Wood Farm, në Sandringham, Norfolk. Ai qëndroi rreth 12 orë në paraburgim dhe më pas u lirua nën hetim, ndërsa autoritetet konfirmuan se pyetjet ndaj tij do të vijojnë.

I hetuar për dyshime për shpërdorim detyre në funksion publik, Mountbatten-Windsor dyshohet se ka ndarë informacione konfidenciale gjatë kohës që shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar, duke përfaqësuar Mbretëreshën e ndjerë dhe vendin jashtë shtetit. Dyshimet u shtuan pas publikimit të disa email-eve në kuadër të dosjeve “Epstein”.

Arrestimi konsiderohet një nga momentet më të rënda për monarkinë britanike në vitet e fundit. Mountbatten-Windsor i ka humbur më herët titujt, nderimet dhe rezidencën që i jepej nga Crown Estate. Nëse ndaj tij ngrihen akuza dhe shpallet fajtor nga gjykata, ai përballet edhe me mundësinë e dënimit me burg.

Mbreti Charles reagoi disa orë pas arrestimit me një deklaratë zyrtare, ku theksoi se “ligji duhet të ndjekë rrugën e tij”.

Në mesazhin e nënshkruar “Charles R”, ai u shpreh se çështja do të hetohet në mënyrë të plotë, të drejtë dhe nga autoritetet përkatëse, duke garantuar bashkëpunim të plotë nga ana e familjes mbretërore.

Në Windsor, pranë Royal Lodge, u vunë re forca të shumta policie që kontrollonin hyrje-daljet në zonë. Mësohet se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 20:00, autokolona e tij u rikthye në pronë përmes një rruge private.

Banorë të zonës u shprehën të shqetësuar për rikthimin e vëmendjes mediatike, duke thënë se “cirkut i është rikthyer sërish”.



Skip to toolbar