Sot protesta e Berishës/ Policia: Nuk e marrim përsipër zhvillimin e tubimit

AKTUALITET


Partia Demokratike do të mbajë sot në orën 18:00 protestën kombëtare përpara Kryeministrisë. Policia e Tiranës pasi është njoftuar nga PD-ja për zhvillimin e protestës, bën me dije se i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

Policia sqaron se ky vendim vjen pas akteve të dhunës së regjistruar në protestën e 10 shkurtit, ku 16 efektivë policie mbetën të plagosur si pasojë e hedhjes së molotovit dhe shisheve me benzinë drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, si dhe pas informacioneve të siguruara se dhe në protestën e sotme mund të ketë veprime të dhunshme.

Megjithatë, policia ka ndërmarrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke kufizuar disa akse rrugore. Konkretisht nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Po ashtu, policia sqaron se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

NJOFTIMI:

Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.

Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër.



Skip to toolbar