Jerusalem Post: Katër skenarët e një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Teheranit

BOTA


Koha duket se po shkon drejt fundit për një sulm të mundshëm ushtarak të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit. Me forcat amerikane të dislokuara plotësisht në Lindjen e Mesme dhe negociatat që mbeten të brishta, katër janë skenarët më të mundshëm për nisjen e një lufte të re me Teheranin, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Sipas “The Jerusalem Post”, zhvillimet e ditëve dhe javëve në vijim do të përcaktojnë nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të urdhërojë një goditje ushtarake kundër Teheranit apo do të zgjedhë të zgjasë dritaren diplomatike.

Skenari 1: Sulm brenda pak ditësh

Skenari i parë parashikon që Trump të urdhërojë një sulm ndaj Iranit midis së dielës dhe të enjtes. Kjo mund të ndodhë nëse ai ka marrë tashmë vendimin për të goditur Teheranin, por po pret finalizimin e disa elementeve ushtarake, si dhe një sinjal të qartë se negociatat me Republikën Islamike nuk po japin rezultatet e nevojshme.

Një mundësi tjetër është që Irani të paraqesë një propozim të enjten, të cilin Trump ta refuzojë menjëherë, duke hapur rrugën për veprim ushtarak. Megjithatë, ky variant konsiderohet më pak i mundshëm, pasi zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se është planifikuar një takim SHBA–Iran, çka mund ta shtyjë presidentin të presë për të vlerësuar ofertën iraniane.

Skenari 2: Goditje në fillim ose në mes të javës së ardhshme

Ky konsiderohet nga shumë analistë si skenari më i mundshëm. Javën e kaluar, Trump i vendosi një afat dyjavor Republikës Islamike për arritjen e një marrëveshjeje, duke paralajmëruar se në të kundërt do të ndërmarrë veprime ushtarake. Që atëherë, afati herë konfirmohet e herë relativizohet në deklaratat e tij.

Nëse Trump vendos t’i japë udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, të gjithë afatin dyjavor dhe pasi të shqyrtojë propozimin e ri të Teheranit e konsideron të pamjaftueshëm, atëherë sulmi mund të ndodhë në fillim ose në mes të javës së ardhshme.

Skenari 3: Sulm menjëherë pas Ramazanit

Skenari i tretë e shtyn fillimin e operacionit ushtarak për menjëherë pas 19 marsit, me përfundimin e Ramazanit.

Trump mund të mos dëshirojë të nisë një luftë rajonale gjatë muajit më të shenjtë për myslimanët. Një sulm gjatë kësaj periudhe mund të ndikojë në gatishmërinë e aleatëve sunitë të SHBA-së në rajon, sidomos përballë një kundërpërgjigjeje të mundshme nga Khamenei.

Nga ana tjetër, një sulm gjatë Ramazanit mund të forcojë narrativën e udhëheqjes iraniane për një ndërhyrje të huaj në Lindjen e Mesme, duke zhvendosur vëmendjen nga represioni i brendshëm i regjimit ndaj popullit iranian.

Megjithatë, për shkak të kohëzgjatjes së tensioneve që nga fundi i dhjetorit dhe kostos në rritje të mbajtjes së një pranie të madhe ushtarake amerikane në rajon, skenari i dytë duket disi më i mundshëm.

Skenari 4 (më pak i mundshëm): Shtyrje për një periudhë më të gjatë

Skenari i katërt parashikon një sulm në një horizont më të largët kohor.

Kostoja për SHBA-në është e madhe: dy aeroplanmbajtëse, më shumë se një duzinë destrojerësh dhe qindra avionë të tjerë ndodhen në Lindjen e Mesme në gatishmëri për një përshkallëzim të mundshëm.

Shumica e analistëve nuk besojnë se Trump do të mbajë një “armatadë” të tillë përtej mesit të marsit pa e përdorur ose pa arritur një marrëveshje. Megjithatë, tre faktorë mbeten:

Parashikimet e deritanishme të analistëve janë përgënjeshtruar.

Irani ka aftësi të konsiderueshme për të zgjatur negociatat.

Trump përballet me një nga vendimet më të mëdha të presidencës së tij, nën presione të forta të brendshme dhe ndërkombëtare.

Këta faktorë mund ta shtyjnë drejt një pritjeje të zgjatur, me shpresën për një zgjidhje më të qartë dhe më të favorshme sesa një luftë e hapur apo një marrëveshje që mund të perceptohet si e dobët.

Roli i Izraelit dhe qëndrimi i Teheranit

Fillimisht, analistët izraelitë ishin të ndarë mbi faktin nëse Khamenei do të urdhëronte një sulm ndaj Izraelit si kundërpërgjigje ndaj një goditjeje amerikane.

Disa vlerësonin se reagimi do të ishte i pashmangshëm, ndërsa të tjerë besonin se, nëse Jerusalemi do të ruante distancë nga konflikti, Republika Islamike do të kufizohej në sulme kundër bazave dhe anijeve amerikane në rajon.

Megjithatë, me kalimin e kohës, liderët izraelitë kanë ashpërsuar retorikën për një përfshirje të mundshme në një sulm amerikan kundër regjimit iranian.

Kjo rrit gjasat që Teherani të godasë edhe Izraelin, qoftë si kundërpërgjigje, qoftë në mënyrë parandaluese, nëse përfshihen Forcave Mbrojtëse Izraelite në operacion.



Skip to toolbar