Presidenti amerikan Donald Trump ka folur të martën, 24 shkurt, për gjendjen e Shteteve të Bashkuara në mandatin e dytë presidencial për të, duke thyer rekordin për fjalimin më të gjatë presidencial para Kongresit, me një kohëzgjatje prej 108 minutash (1 orë e 48 minuta).
Gjatë fjalimit, Trump u përpoq të bindte votuesit se rikthimi i tij në pushtet ishte zgjedhja e duhur dhe u fokusua te sulmet e drejtpërdrejta ndaj demokratëve në sallë.
Mbrëmja u karakterizua më shumë nga elementë simbolikë dhe gjeste të forta sesa nga një mesazh i qartë programor apo ide të reja politike që do të mund të bashkonin ligjvënësit republikanë.
Në disa pjesë të fjalimit, kreu i Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj thirrjeve të aleatëve të tij për t’u fokusuar te ekonomia dhe perspektiva e rritjes. Në pjesë të tjera, ai u rikthye te retorika përçarëse ndaj kundërshtarëve politikë. Në tërësi, synimi kryesor dukej të ishte ruajtja e rolit të tij si figura qendrore e jetës politike amerikane në një vit zgjedhor, kur shumë analistë parashikojnë se zgjedhjet do të shihen si një referendum mbi kontrollin republikan të Washingtonit.
Trump shmangu disa çështje të ndjeshme që mund të kishin shkaktuar polemika të forta, si debatet për administratën federale apo incidentet e sigurisë së brendshme. Edhe kur kritikoi Gjykatën Supreme për një vendim të fundit lidhur me tarifat tregtare, u mjaftua duke e quajtur atë “të pafat”.
Duke theksuar se duhet të ishte tanimë në mandat të tretë dhe jo të dytë, përmendi rolin e zjarrfikësve që sipas tij nuk vlerësohen mjaftueshëm, e quajti Space Force “fëmijën e tij”, dhe lavdëroi Zonjën e Parë Melania Trump si “yll kinemaje”.
Shpërndau medalje, megjithëse shprehu pakënaqësi për kufizimet ligjore që i ndalonin t’i jepte vetes tituj nderi.
Presidenti u ndal edhe te ekipi amerikan i hokejit mbi akull, fitues të medaljes së artë olimpike, moment që u prit me duartrokitje nga të dyja palët. Megjithatë, më pas ai u rikthye shpejt te temat e zakonshme të fushatës së tij.
Ai foli për nevojën e forcimit të vlerave të krishtera, kritikoi të drejtat e personave transgjinorë dhe sulmoi aleatët e NATO-s për shpenzimet në mbrojtje. Lavdëroi po ashtu ndërhyrjet e forcave ushtarake në qytete si Washington, Memphis dhe New Orleans, duke thënë:
Ata nuk duan ta dëgjojnë këtë!
Demokratët i akuzoi se “po shkatërrojnë vendin”, duke pretenduar se tolerojnë abuzime me programet shtetërore dhe manipulime zgjedhore.
Në disa momente, ai iu drejtua drejtpërdrejt demokratëve në sallë me tone të ashpra, sidomos kur kërkoi miratimin e një pakete shpenzimesh për Departamentin e Sigurisë Kombëtare apo kur propozoi një ligj të ri kundër krimit pas një ngjarjeje të rëndë në Karolinën e Veriut.
Sipas sondazheve të fundit, mbështetja për Trump ka rënë krahasuar me një vit më parë.
Aktualisht, miratimi për të qëndron rreth 36%, ndërsa vetëm një pjesë e votuesve mendojnë se ai ka prioritetet dhe politikat e duhura. Mbështetja më e fortë mbetet te republikanët dhe votuesit konservatorë.
Megjithëse administrata e tij ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në politikën e jashtme, presidenti e preku këtë temë vetëm në fund të fjalimit.
Ai fillimisht e quajti Venezuelën, “vend mik dhe partner të ri”, por më pas vlerësoi operacionin ushtarak që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro, duke e cilësuar si një ndër ndërhyrjet më komplekse në histori.
Sa i përket Iranit, Trump përmendi shkeljet e mëparshme të Teheranit, por nuk dha detaje të qarta për qëllimet e mundshme të një ndërhyrjeje ushtarake.
Në planin ekonomik, ai deklaroi se ekonomia amerikane “po lulëzon si kurrë më parë” dhe se inflacioni “po bie ndjeshëm”.
Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se rritja ekonomike ka mbetur në nivele të ngjashme me vitin e kaluar, ndërsa inflacioni vijon të jetë mbi objektivin e Rezervës Federale. Edhe pse pagat janë rritur, kostot e jetesës vazhdojnë t’i tejkalojnë ato.
Fjalimi, ndonëse historik për nga kohëzgjatja, la të hapura shumë pikëpyetje mbi drejtimin e ardhshëm të administratës, ndërsa vendi hyn në muajt vendimtarë përpara zgjedhjeve të nëntorit.
