Kryeministri Rama ka mbledhur grupin parlamentar të PS dhe qeverisë. Rama tha se e deshën reformën në drejtësi qëkur ishin në opozitë dhe e dinin që kostoja e saj do të ishte gjak dhe baltë. Sipas Ramës jemi vendi me shifrat më alarmante të paraburgimit dhe jemi të dytët pas Rusisë për raportin dënime/pafajësi; në dallim nga rajoni, këtu jemi pak a shumë njësoj.
“Ne e deshëm reformën në drejtësi qysh kur ishim në opozitë dhe e bëmë kur erdhëm në pushtet dhe u treguam të gatshëm. Ky është fakt; kush tregon histori tjetër nuk tregon të vërtetën.
Ne ishim ata që projektuam dhe diktuam rrugën pa na trysnuar askush, sepse nëse s’do të kishte një kalë që të tërhiqte karrocën, ata nuk kishin nga ta shpiknin kalin. Ne e bëmë me vetëdije të plotë dhe për atë që do të vinte.
Nuk e kam imagjinuar as si fasadë, as si shëtitje në park reformën në drejtësi; e dija që do të vinte me baltë dhe me gjak. Ishte përpjekje për të dorëzuar shpatën e pushtetit të drejtësisë në duart e njerëzve të drejtësisë. Për ta bërë këtë do të kërkoheshin kokat tona.
Përmbysja që ne i bëmë sistemit të vjetër të drejtësisë ishte revolucionare. Ne po jetojmë në një periudhë ethesh revolucionare. Drejtësia sot është si qeveria shqiptare në 1912: fuqi politike dhe traditë demokratike zero, dhe autokontroll që mbetet nën notën kaluese.
Sipas KE-së, jemi vendi me shifrat më alarmante të paraburgimit dhe jemi të dytët pas Rusisë për raportin dënime/pafajësi; në dallim nga rajoni, këtu jemi pak a shumë njësoj.
Paradoksi është që, falë nesh, nën udhëheqjen tonë dhe deri me lëkurën tonë, po bëhet ky transformim që do të hyjë në histori si transformim epokal me një drejtësi të re e të pavarur. Por, ndërkohë që ajo ka marrë shpatën e luftës kundër korrupsionit me bekimin tonë, qeveria jonë goditet si më e korruptuara dhe Shqipëria baltoset si më e kriminalizuara.
Dy uturakët më të mëdhenj mediatikë flasin fakte të pabaza, ndërkohë që dosjet me të gjitha faktet për evazion fiskal janë në prokurori prej vitesh. Këta të parave të zeza nën dorë arrijnë të terrorizojnë dhe të tregojnë se si, me “korrupsionin tim”, kam korruptuar edhe KE-në që KE të mos bëhet si uturakët. KE shikon faktet, lexon shifrat dhe nuk e sheh përmes avujve të tenxheres.”
