S’ka karton të zi dhe as farsë. Misioni faktmledhës i Partive Popullore Europiane 24 orë pasi takoi Berishën, ka bërë të qartë se grupi më i madh parlamentar i Bashkimit Europian mbështet integrimin europian të Shqipërisë.
“PPE mbështet rrugën e Shqipërisë drejt BE-së në bazë të meritës, por thekson nevojën për të forcuar pavarësinë gjyqësore, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias kundër një qeverie që ka kapur shtetin.”
Partitë e djathta europiane kanë një mesazh të qartë për simotrën e saj në Shqipëri, Partinë Demokratike. Politika nuk bëhet në rrugë, dhe as me molotovë, por të ulet menjëherë në tavolinë e të kryejë reformat.
“I shqetësuar për prapambetjen demokratike, delegacioni i PPE-së bën thirrje për një opozitë të bashkuar dhe të fortë për të siguruar llogaridhënie dhe një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe territoriale për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.”
Tashmë u zbulua edhe misteri i takimit konfidencial, të llojit Chatham House, prej të cilit Berisha të mërkurën nuk doli entuziast.
Partitë Popullore Europiane që udhëheqin Bashkimin Eurpian, nuk flasin për farsë më 11 maj, edhe as për skenaret imagjinare të doktorit për ndërprerje të negociatave me Shqipërinë. Ata kërkojnë një opozitë normale, vetëm se në mesazhin e tyre, ka dhe një mister, ata në asnjë moment nuk përmendin kryetarin e PD, Sali Berishën.
