I dërguari i Macron, optimist për integrimin: Shqipëria brenda tre viteve në BE

Më të fundit


Dikur vendoste veton, sot Franca, një nga vendet udhëheqëse të BE kërkon anëtarësimin e Shqipërisë brenda 3 viteve.

Në një intervistë për gazetën greke to vima, I dërguari i posaçëm i Macron për Ballkanin Perëndimor, Rene Trokaz deklaron se Shqipëria është vendi që po ecën me ritmin më të shpejtë bashkë me Malin e Zi, dhe anëtarësimi mund të ndodhë edhe më para se objektivi aktual.

“Bazuar në situatën e secilit vend, ka procedura dhe është normale që disa vende të ecin me një ritëm më të shpejtë. Do të thoshim se Shqipëria dhe Mali i Zi janë përpara, janë relativisht afër integrimit, një vlerësim optimist do të ishte se kjo do të ndodhë brenda tre viteve të ardhshme.” thotë Rene Trokaz i dërguari i posaçëm i Francës.

Trokaz shton se përshpejtimi i procesit të zgjerimit të BE, duhet të ecë paralelisht me reformat e brendshme të vendeve kandidate për BE, në mënyrë që ato të jenë gati si anëtare të Unionit.

“Nevoja për të përshpejtuar integrimin dhe reformat e brendshme në nivel institucional duhet të shkojnë së bashku. Ne jemi 27 anëtarë sot në BE; duhet të llogarisim se si do të funksionojmë kur të jemi 30. Rregullat dhe institucionet duhet të përshtaten” thotë Rene Trokaz

I dërguari i posaçëm i Makron, pranon se për Francën zgjerimi i BE tashmë është prioritet, dhe në këtë ka ndikuar Ukraina. Sipas tij, ky proces nuk mund të mbahet peng nga precedentët e kaluar me probleme dy palëshe të vendeve, që më herët kanë penalizuar Shqipërinë, si me Greqinë edhe me veton e Sofjes ndaj Shkupit.



Skip to toolbar