Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, gjatë fjalës së saj në mbledhjen e grupit Parlamentar të PS, dha detaje mbi projektin e “Smart City”.
Ajo theksoi se do të vendosen rreth 5000 kamera në rrugët kryesore të vendit.
Kjo masë theksoi ministrja do të kontribuojë në rritjen e sigurisë për komunitetin.
“Nuk mund të lë pa përmendur edhe një arritje shumë të rëndësishme që është projekti “Smart City” apo qytetit inteligjent. Janë 5000 kamera inteligjente, që do të instalohen në rrugët kryesore, janë mbi 20 shkolla të cilat do të monitorohen. Të gjitha këto për të rritur e garantuar edhe më shumë standardin dhe sigurinë e komuniteteve tona.
Do të vazhdoja pak edhe te cikli i reformave të ligjshmërisë, i cili nuk mund të jetë i plotë nëse nuk nisemi e godasim zemrën e paligjshmërisë, që janë paratë e asetet e krimit. Një vit më parë nga puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese kemi sekuestruar dhe konfiskuar një vlerë, e cila më parë ishte e paimagjinueshme. Janë 65 milionë euro asete e pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara, të cilat nga njëra anë është mirë që kemi realizuar një mbledhje e grumbullim të tillë falë edhe kapaciteteve tona reale e viturtuale, por nga ana tjetër është e rëndësishme të theksojmë këtu sa e domosdoshme është bashkëpunimi ndërinstitucional. Një gjë që duhet ta vlerësojmë këtu është puna dhe përpjekja që jemi duke kryer kur vjen puna te transformimi i tyre në një mbështetje konkrete për komunitetet në nevojë. Kemi ngritur një mekanizëm që na jep një kornizë të qartë ligjore dhe që i mobilizon të gjithë këto asete në funksion të komuniteteve vulnerabël.”, tha ajo.
