Vengu: Në maj nis shkolla e aviacionit dhe uniformat e para “Made in Albania

AKTUALITET


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se viti 2026 do të jetë viti i rinisjes së industrisë ushtarake.

Ai bëri të ditur se në muajin prill nis prodhimi i dronëve, në maj prodhimi i uniformave, ndërsa deri në dhjetor pritet të fillojë prodhimi i sistemeve antidronë.

“Kemi ecur sipas parimit që rritja e buxhetit të mbrojtjes të përkthehet jo vetëm në forcim të kapaciteteve ushtarake dhe të forcës reaguese, por edhe në rritje të mirëqenies ekonomike dhe inovacionit. Fusha ku kjo është më e dukshme është industria ushtarake, me katër kompani të themeluara, ku shteti është aksionar, si dhe me gjashtë kontrata për municione, uniforma, mjete taktike etj.”, tha Vengu.

Ministri njoftoi gjithashtu se janë finalizuar negociatat me kompaninë “Fincantieri” për prodhimin e anijeve luftarake në bazën e Pashalimanit. Sipas tij, marrëveshja i hap rrugë krijimit të një kompanie të përbashkët për prodhimin e anijeve luftarake.

Sa i përket emergjencave civile, Vengu theksoi se është disbursuar fondi për 47 bashki, me rritje të ndjeshme të buxheteve: trefishim në Lezhë dhe Gramsh, gjashtëfishim në Përrenjas dhe shtatëfishim në Delvinë.

Ai bëri të ditur se 8 milionë euro janë miratuar për infrastrukturën parandaluese, ndërsa 10 milionë euro të tjera janë shpërndarë për projekte të reja si prita dhe ura. Për rinovimin e flotës së emergjencave janë shtuar 2 milionë euro, ndërsa uniformat dhe mjetet do të jenë “Made in Albania”.

Ministri theksoi se shtylla e tretë është kapitali njerëzor, duke nënvizuar se në 14 muajt e fundit janë rekrutuar 1 000 ushtarakë aktivë dhe është ulur me 70% numri i largimeve.

Në prill nis linja e prodhimit të dronëve taktikë, ndërsa janë hapur rekrutimet për 12 inxhinierë që do të trajnohen në bashkëpunim me partnerë izraelitë. Në maj nis shkolla e aviacionit dhe janë porositur dy helikopterë trajnues.

Po në maj pritet prodhimi i parë i uniformave për ushtrinë dhe Policinë e Shtetit. Në qershor do të dalin produktet e para të mjeteve të emergjencave dhe transportit, në bashkëpunim me kompaninë “Ray Metal”.

Programi do të vijojë deri në dhjetor me prodhimin e sistemeve antidronë, ngritjen e dy qendrave rajonale për emergjencat civile dhe blerjen e dy avionëve, duke rikthyer këto kapacitete pas 20 vitesh.

Vengu bëri të ditur se në fund të marsit Akademia e Forcave të Armatosura do të marrë në përdorim godinën e re.



Skip to toolbar