Pas një operacioni 10-ditor kërkim-shpëtimi, efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut kanë bërë të mundur ditën e sotme, 28 shkurt, gjetjen e trupit të qytetarit me inicialet I.K., 42 vjeç.
Trupi i të ndjerit u gjet në zonën midis fshatrave Orizaj dhe Buzuq, njofton Ministria e Mbrojtjes. Autoritetet vijojnë procedurat përkatëse dhe janë në kontakt me familjarët.
Kujtojmë që Forcat e Armatosura prej ditësh ishin në kërkim për gjetjen e trupit të 42-vjeçarit, i cili dyshohet se i dha fund jetës duke u hedhur në lumë, mbrëmjen e 20 shkurtit, në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, në afërsi të kanioneve të Osumit në Skrapar.
Për gjetjen e 42 vjeçarit qe angazhuar vullnetarisht me forcat RENEA dhe një 22-vjeçar, banor i zonës por mbeti i bllokuar në kanionet e Osumit.
I riu arriti të shpëtohej dhe të nxirrej nga ujërat e Osumit, me 22 shkurt, falë operacionit që u koordinua nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në mbështetje të strukturave vendore dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave speciale RENEA dhe Forcat e Armatosura.
