Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar lidhur me përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, duke bërë me dije se po e ndjek me vëmendje zhvillimet dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e vendeve të rajonit përmes përfaqësive diplomatike shqiptare.
Në reagimin e saj, MEPJ u bën thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe të tregohen të kujdesshëm, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të dhëna nga autoritetet lokale.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, vijon të ndjekë me vëmendje situatën në Lindjen e Mesme dhe prej mëngjesit të sotëm është në kontakt me autoritetet e vendeve të rajonit përmes përfaqësive diplomatike shqiptare.
MEPJ iu kërkon të gjithë shtetasve shqiptarë në Emiratet e Bashkuara Arabe të jenë të kujdesshëm duke shmangur daljet e panevojshme dhe duke ndjekur udhëzimet e sigurisë nga autoritetet lokale.
Hapësira ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe, ashtu si ajo e të gjitha vendeve të Gjirit, është e mbyllur përkohësisht si pjesë e masave për interceptimin e sulmeve.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi është në dispozicion të qytetarëve shqiptarë rezidentë në Emiratet e Bashkuara Arabe për çdo informacion, nevojë apo emergjencë, përmes kontaktit të emergjencës +971 50 980 7881”, thekson ne njoftim Ministria e Jashtme.
