Financimi i partive politike/ Përplasje Celibashi-Gjiknuri në komisionin e Reformës Zgjedhore

Më të fundit


Tryeza e reformës zgjedhore ballafaqoi dy fytyrat, politike dhe teknike në konsultimet për ligjin e financimit të partive politike. Nga njëra anë bashkëkryetari i PS, Damian Gjiknuri që për ligjin e ri bëri shumë premtime, në dakordësi me PD.

“Me opozitën kemi vendosur të bëjmë draft të përbashkët, të kemi rregulla të përbashkëta, jo inate partizane. Shëndeti financiar është i rëndësishëm, partitë s’janë organizata, garantohet demokracia. Ligji do të jetë proporcional, jo në kurriz të njerës apo tjetrës parti. Do ketë transparencë, audit të pavarur, do parandalojë ndikime të paligjshme, burime të papranueshme, krimi, fuqi të huaja apo biznese të lidhura me pushtetin” u shpreh Gjiknuri.

Nga ana tjetër kryekomisioneri zgjedhor, Ilirjan Celibashi që më herët ka propozuar reformën e tij, tha se vec problemit të ligjit, problem janë dhe vetë partitë të cilat e shkelin.

“Përtej shifrave dhe mekanizmave ekzistues ligjorë, thelbi i çështjes qëndron te transparenca, llogaridhënia, barazia në garë dhe besimi publik. Partitë politike nuk vendosin në dispozicion të insitucioneve përkatëse, si dhe të publikut të dhënat e tyre financiare, përveç se në momentin kur KQZ publikon raportet e tyre financiare vjetore ose ato të fushatës. Transparenca realizohet vetëm në mënyrë pasive; Qytetarët, anëtarët e partisë dhe votuesit nuk kanë akses të drejtpërdrejtë dhe periodik në informacion; Kontrolli publik mbi financimin politik mbetet i kufizuar”, tha Celibashi.

PS është partia që përfiton më shumë fonde nga buxheti si mazhorancë, por Partia e cila shpenzon më shumë në fushata është PD. Herën e fundit ne 2025, 6 milion dollarë për lobim në SHBA, 1.4 për fushatuesin La Civita dhe vetëm 800 mijë dollarë për shpenzimet e tjera të fushatës. Ndaj dhe bashkëkryetari i PD, Oerd Bylykbashi ishte i qartë në kërkesën e tij. Kur ka shumë shpenzime, me ligj duhen dhe më shumë financime.

“Duhet transparencë por dhe sasi në financimin e partive politike, të jetë i mjaftueshëm dhe i shendoshë, që partitë të jenë imune. Duhet balancë.” u shpreh Bylykbashi.

Por faturat blu kanë rënë shumë në sy. Ambasadori i OSBE, Mishel Tarran rekomandoi që ligji i ri të ketë më shume barazi, më shumë auditim, dhe më shumë sanksione.

“Transparenca: deklarimi i plotë i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike, në përputhje me Kushtetutën
Barazia: zbatimi i barabartë i rregullave për të gjitha partitë politike;
Zbatimi: institucionet mbikëqyrëse duhet të kenë jo vetëm një mandat të qartë, por edhe burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të ushtruar siç duhet auditimin dhe kontrollin;
Sanksionet: vendosja e sanksioneve proporcionale dhe efektive për të parandaluar përfitimet e paligjshme dhe për të dekurajuar mosrespektimin e ligjit.” u shpreh Michel Tarran i OSBE.

Në një linje me OSBE, ishte dhe ambasadori i BE, i cili i kujtoi palëve politike që si reforma zgjedhore edhe ligji për financimin e partive politike, janë hapa kyç për negociatat e anëtarësimit në Union.



Skip to toolbar