Aty ku PD nuk ka shenja ekzistence dhe Berisha s’shkel prej 1 viti, Ervin Salianji mbushi sallën me demokratët e braktisur në Vlorë. Salianji i dha një shans Berishës. Meqënëse refuzon dorëheqjen, të paktën të rikandidojë, por me garë reale.
“U fol 4 vite per nenin Basha. Pse sflet njeri tani? I japim berishes nje status special, se ai e ka ne fakt, rikandidimin. Po rikandidim si? Pa gare reale? Duke perjashtuar demokratet?” tha Salianji.
Zgjedhjet në PD po trokasin, vetëm 1 muaj ka mbetur nga prilli, por Salianji paralajmëron se Berisha ka marrë masat për t’u konfirmuar si kryetar i PD, me atë që e quan si farsa ndaj demokratëve.
“Po përjashtojnë demokratë. Po zgjedhin të vetit që kur të humbin prap të thonë të njëjtat gjëra. Akuzojnë për farsë krahun tjetër, por bëjnë farsë brenda partisë. Në Durrës zgjodhen kryetar njërin që s’ka qenë as anëtar partie” shtoi ai.
Ndërsa thumboi Bardhin dhe gjithë drejtuesit humbësa në PD, Salianji tha se e vetmja alternativë që ofron sot opozita e Berishës, janë shfaqjet me fishekzjarre.
“Lidershipi ka mbetur në kohë. Jemi për rekord Guiness, 13 vite humbje qëndrojnë prap të njëjtit drejtues. E flasin kodra pas bregut. Qeveria kalbet, por asgjë s’ndryshon, veç se hidhen fishekzjarre” theksoi Salianji.
