Rrëzimi i kërkesës së Spak për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut u komentua nga selitë diplomatike në Tiranë. Fillimisht ambasada britanike e më vonë ajo gjermane rikonfirmuan mbështetjen për integrimin ndërsa nënvizuan rëndësinë e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
“Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa.” thuhet në një reagim të ambasadës gjermane në Tiranë.
E menjëhershme ishte përgjigjia e kryeministrit Edi Rama.
“Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë tha se refuzimi I kuvendit për heqjen e lirisë së një deputeteje është plotësisht I drejtë dhe shumica mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj ndaj Spak, i cili duhet ta hetojë cështjen i pandikuar, qoftë nga faktorë të brendshëm ashtu dhe të jashtëm.
“Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor”, thekson kryeministri.
Sipas Rames mazhoranca veproi njëjtë sic do bëntë cdo parlament demokrati i Europës në një situatë të ngjashme, pasi askund nuk legjitimohet arresti pa gjyq.
“Kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë”, shton më tej Rama.
Kreu i qeverisë thotë se e vetmja rrugë e Shqipërisë është ajo drejt Bashkimit Europian, normat e të cilit janë respektuar dhe në seancën e kësaj të enjteje.
“Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!” përfundon kreu i qeverisë.
