Në parlament këtë të enjte u diskutua për kërkesën e SPAK, për ndryshimin e masës për Belinda Ballukun.
Nga radhët e socialistëve mungoi vetë deputetja Balluku dhe tre të tjerë. Vendi i Elisa Spiropalit dhe Fatmir Xhafajt ishin bosh. Nuk ishte në sallë as Blendi Gonxhja, pasi ishte jashtë vendit, në një vizitë pune në Francë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi i ftuar në Real Story tha se Xhafaj mungoi për aryse familjare, ndërsa u shpreh i rezervuar për arsyet e mungesave të tjera. Më tej ai shtoi se 82 votat e unifikuara të socialistëve tregojnë për kompaktësinë e grupit parlamentar.“Për Xhafajn ka pasur një njoftim të kohshëm që ishte jashtë Shqipërisë për arsye familjare. Përsëri sot PS tregoi se bashkë me mbështetjen e PSD-së janë 86 vota.
Ne e kemi krijuar këtë sistem që të gjykojë punët që ne bëjmë. Është fakt që me mijëra të zgjedhur të PS-së, 180 kryetarë bashkie, dhjetëra ministra dhe me qindra zyrtarë gjykohen. Drejtësia e re nuk është hipotetike, gjykon për veprat.
Disa prej tyre hyjnë në sferën e drejtësisë, por mos harrojmë që në gjithë këtë histori kaq të vështirë janë dhjetëra raste të akuzuara për korrupsion. Kemi njerëz të zgjedhur të partisë që përballen, por nuk kemi asnjë koment për hetimin, sepse ajo është detyrë e organeve të drejtësisë së re.
Për qëndrimin e sotëm është qartazi raporti me arsyen që funksionon parlamenti. Janë vetëm dy mungesa, për të cilat nuk kam informacion pse munguan; për Xhafajn është një njoftim për një leje njëjavore për arsye familjare. Nuk mund të jap informacion tjetër. Nuk ja vlen të bëhet ky diskutim në një moment kur munguan dy vota nga 86.
Ne ja dolëm me 82 vota nga 86 janë një shifër goxha e madhe për kompaktësinë e grupit parlamentar.”
