Sulmi me dron paralizoi përkohësisht Aeroportin e Dubait, rifillojnë fluturimet me orar të kufizuar

BOTA


Aeroportet e Dubait kishin njoftuar më herët këtë të hënë, pezullimin e përkohshëm të fluturimeve si masë paraprake për të siguruar sigurinë e pasagjerëve dhe stafit.

Sipas raportimeve të The Straits Times dhe Reuters, ndërprerja erdhi pas një zjarri të shkaktuar nga një sulm me dron që preku një rezervuar karburanti pranë aeroportit, megjithëse nuk u raportuan të lënduar.
Incidenti detyroi ndalimin e përkohshëm të fluturimeve në një nga qendrat më të ngarkuara të transportit ajror ndërkombëtar.

Megjithatë, aeroporti Ndërkombëtar i Dubait tani ka njoftuar se ka rifilluar një orar të “kufizuar” fluturimesh në mëngjes.

Emiratet njoftuan në një deklaratë të postuar në rrjetin social X: “Presim të operojmë me një orar të kufizuar pas orës 10:00 me kohën lokale të Dubait sot. Për fat të keq, disa fluturime nga orari i sotëm janë anuluar.”

Ndikimi në fluturime erdhi pas një “incidenti me dron në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait”, i cili “preku një nga rezervuarët e karburantit”.
Zyra e Medias së Dubait tha gjithashtu në X se nuk u raportuan të lënduar.

Ky është incidenti i katërt i lidhur me dronë që ndodh në Aeroportin e Dubait, që kur Irani filloi sulmet në vendet e Gjirit, për të cilat Teherani tha se synonin praninë ushtarake amerikane në rajon. Çdo incident ka ndërprerë përkohësisht fluturimet, me disa të lënduar të raportuar.
Shtetet arabe të Gjirit janë përballur me mbi 2 mijë sulme me raketa dhe dronë që nga ajo kohë, që kanë synuar objekte ushtarake si dhe infrastrukturë civile, përfshirë aeroporte, hotele dhe porte.

Aeroporti i Dubait punon me mbi 90 milionë pasagjerë në vit dhe renditet si aeroporti më i ngarkuar në botë për trafikun ndërkombëtar.



Skip to toolbar