Edi Rama e nisi javën në Vlorë, ku zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me disa nga deputetët e qarkut dhe përfaqësues të bashkisë së qytetit bregdetar.
Në takimin që zgjati për afro 1 orë, kreu i qeverisë u ndal tek projektet që po zbatohen në qytetin e Vlorës si dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik.
Rama ka porositur drejtuesit vendore që të marrin masa për të shmangur cdo problematikë që mund të cënojë sezonin veror, përfshirë furnizimin me ujë, menaxhimin e hapësirave publike, përmisimin e shërbimeve apo garantimin e standarteve të pritjes për turistët.
Përgatitja në kohë e infrastrukturës dhe e shërbimeve sipas kryeministrit është thelbësore për të përballuar fluksin e vizitorëve që pritet gjatë muajve të verës në Vlorë dhe në zonat përreth.
Kreu i qeverisë ka kërkuar me shumë koordinim mes bashkisë dhe ministrive përkatëse, me qëllim përshpejtimin e realizimit të projekteve dhe për të garantuar që ato të përfundojnë brenda afateve të parashikuara.
Kryeministri ka nënvizuar vëmendjen që I është kushtuar Vlorës nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, turizëm dhe zhvillimi urban. Sipas tij, këto projekte kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e potencialit turistik dhe përmisimin e shërbimeve për qytetarët dhe vizitoret.
