Të gjitha masat sanksionuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, të vendosura në 2023-shin, janë hequr.
Lajmi është konfirmuar nga Komisioni Europian.
“Mund të konfirmoj se Brukseli ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën sanksione dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”-deklaroj Jiri Plecity, përfaqësues i Komisionit gjatë debatit që është zhvilluar për Kosovën në Parlament.
Masat kishin të bënin me pezullim të financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.
Ato u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.
Në atë kohë pati edhe përplasje mes protestuesve serbë me forcat e sigurisë, përfshirë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Për mbylljen e procedurave për heqjen e sanksioneve ishtë planifikuar një vizitë në Kosovë nga komisionerja për zgjerim Marta Kos, por ajo e anuloi vizitën për shkak të krizës politike në vend.
Vendimi vjen pak ditë pas dakordësisë mes Kosovës dhe Bashkimit Europian për “Ligjin për të Huajt”, veprim që u përshëndet nga ndërkombëtarët.
Ligji për të huajt u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj.
Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore duke i dhënë atyre kohë.
