Irani ka njoftuar tashmë se “anijet jo armiqësore” mund të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Disa anije nga Kina, India dhe Pakistani tashmë po kalojnë këtë rrugë ujore jetike. Madje raportohet se janë vendosur edhe pagesa deri në 2 milionë dollarë për të kaluar.
Irani është tallur me pretendimet e Trump se po zhvillohen bisedime për një marrëveshje paqeje duke thënë se “SHBA po negocion me vetveten. Ne nuk do të pajtohemi kurrë me ju”, tha një zëdhënës i ushtrisë iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio po udhëheqin negociatat me Iranin, duke shprehur optimizëm se një marrëveshje është afër. Një burim iranian i tha CNN se Teherani është i gatshëm të dëgjojë propozime “të qëndrueshme” për t’i dhënë fund luftës.
Komentet e Iranit erdhën pasi Trump këmbënguli se Irani e dëshiron “shumë” një marrëveshje” dhe Irani u ka dhënë SHBA-ve një “dhuratë shumë të madhe, me vlerë të jashtëzakonshme”.
“Mund të themi që ky është ndryshim regjimi” dhe “e kemi fituar këtë luftë”, u shpreh presidenti në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, Irani ka rënë dakord që “mos të ketë kurrë armë bërthamore”.
Deklaratat e Trump kanë ndikuar menjëherë në çmimet e naftës, të cilat ranë më shumë se 5% në 94.42 dollarë për fuçi.
