Berishës i ikën karta “Irena”/ SPAK: Gjyqtarja Gjoka nuk është e dënuar, të pushojë procedimi

AKTUALITET


Prokuroria e Posaçme (SPAK) thotë se gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka, nuk është dënuar penalisht në shtetin grek.

Këtë SPAK e bazon në dëshminë e penalitetit dhe përgjigjet që ka marrë nga autoritetet greke. Pas këtyre verifikimeve SPAK kërkon që procedimi penal i nisur në qershor të vitit 2025, ndaj Irena Gjokës të pushohet duke rrëzuar kështu sulmet dhe denoncimet e Sali Berishës.

“Nga verifikimet zyrtare të kryera rezulton se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënim penal ndaj saj, ndërkohë që edhe në formularin e vetëdeklarimit ajo ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.”, theksoi SPAK.

Lidhur me çështjen gjyqësore të vitit 2005 për përdorim dokumentesh të parregullta ndaj Irena Gjokës nga një Gjykatë në Janinë, SPAK ka mundur të verifikojë në bashkëpunim me palën greke se autoritetet kanë urdhëruar mosekzekutimin dhe arkivimin e vendimit penal, për shkak se ai nuk kishte marrë formë të prerë dhe për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Mes të tjerash SPAK thotë se Irena Gjoka nuk ka pasur asnjë dijeni lidhur me këtë çështje.

 “Nga analiza e mëtejshme e akteve rezulton se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit, në përputhje me legjislacionin përkatës të aplikueshëm”, thuhet më tej.

Në fund SPAK thotë se në asnjë moment nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale.

“Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale.”, thekson SPAK.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike menjëherë pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”.

Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi.



Skip to toolbar