Bordi i Transparencës, strukturë e ngritur prej 19 marsit, kur çmimi i naftës kërceu në 217 lekë për litër, do të mblidhet sot. Lajmin e dha ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili njoftoi se sot do të ketë edhe një vendimmarrje për këtë çështje.
“Bordi do të mblidhet sot. Është duke marrë të gjithë informacionin sa i përket lëvizjes së çmimeve dhe mbi të gjitha, ndryshimeve që ka çmimi i bursës. Dhe do të dalë me një vendimmarrje sot”, tha ministri.
Sa për ndikimin në rritjen e çmimeve, Demo nënvizoi se prioritet është garantimi i transparencës dhe marrja e masave për të lehtësuar barrën e qytetarëve.
“Rritja e çmimit të naftës dhe aq më tepër inflacioni që ajo sjell në produktet në bazë të gjerë kërkon një kohë të caktuar. Të garantojmë transparencën duke filluar me produktet bazë, si nafta, që të mos ketë spekulim në treg. Qeveria është e gatshme të marrë masat e duhura kur ne të gjykojmë se barra për qytetarët është jo e vogël”, tha Demo.
