Kreu i Marines se Gardes Revolucionare Iraniane, Komodori Alireza Tangsiri, eshte vrare ne sulmet izraelite.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se Tangsiri ishte vrarë së bashku me komandantë të tjerë të lartë detarë.
Katz tha se Tangsiri ishte përgjegjës për operacionet e bombardimit që kanë bllokuar anijet nga kalimi i Ngushticës së Hormuzit.
Izraeli ka kryer një tjetër valë sulmesh ndaj Iranit gjatë natës dhe këtë të enjte. Sulme të rënda u raportuan në qytetin iranian të Isfahan. Atje ndodhet një bazë e madhe ajrore iraniane dhe vende të tjera ushtarake, si dhe një nga vendet bërthamore të bombarduara nga Shtetet e Bashkuara në qershor 2025.
Sirena u dëgjuan edhe në pjesë të Tel Avivit dhe qyteteve në Izraelin qendror. Këtë herë nuk kishte paralajmërim paraprak, siç është bërë zakonisht nga sulmet e raketave iraniane, gjë që tregon se ishte një goditje nga Hezbollahu në Liban.
Sulme pati edhe në vendet e rajonit. Të paktën dy persona u vranë dhe tre u plagosën nga mbetjete e një rakete iraniane të rrëzuar në Abu Dhabi.
Ndërkohë sulmet nga raketat iraniane kanë plagosur gjithashtu pesë persona në Kfar Qasim të Izraelit qendror, teksa sirena alarmi u dëgjuan edhe në Jeruzalem.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite rrëzuan gjithashtu dronë të shumtë që u nisën nga Irani.
Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite tha se të enjten në mëngjes rrëzoi disa dronë mbi Provincën e saj Lindore të pasur me naftë.
Kuvajti dhe Bahreini u përballën gjithashtu me sulmet iraniane të enjten në mëngjes.
Në Liban, Agjencia Kombëtare e Lajmeve raportoi për viktima dhe të plagosur nga sulmet izraelite në Harouf, në Libanin jugor.
Përveç sulmeve ajrore, ushtria izraelite është futur më thellë në territorin libanez si pjesë e një pushtimi tokësor që Izraeli thotë se synon të shkatërrojë grupin militant Hezbollah.
