Gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, 27 mars, janë regjistruar reshje të lehta dëbore në malin e Dajtit në Tiranë, si dhe në zonat malore të Kukësit, Dibrës, Elbasanit apo Korçës.
Në qarkun e Dibrës, dëbora ka përfshirë fshatrat përreth qytetit të Peshkopisë. Temperaturat nuk kanë zbritur nën zero, dhe deri tani nuk raportohet asnjë dëmtim në pemtari, pasi shumë dru frutorë ndodhen në fazën e çeljes së luleve.
Në qarkun juglindor, reshjet e dëborës janë rikthyer kryesisht në lartësitë mbi 1100-1200 metra, në zonat përreth Korçës dhe Pogradecit. Për shkak të reshjeve, autoritetet kanë ndërhyrë për pastrimin e akseve kryesore rrugore, veçanërisht në segmentet ku dëbora ka qenë më e dendur Në aksin Qukës-Qafë Plloçë, në segmentin e Qafë Thanës dhe në Dardhë, reshjet kanë qenë më intensive gjatë natës, duke krijuar shtresa të konsiderueshme dëbore.
Megjithatë, për shkak të temperaturave pranverore, dëbora ka nisur të shkrijë dhe mbetet prezente kryesisht në zonat malore.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës edhe disa zona në qarkun e Elbasanit, duke rikthyer përkohësisht atmosferën dimërore në zonat malore. Zonat më të prekura janë Parku i Shebenikut dhe disa fshatra mbi 800 metra lartësi, ku trashësia e dëborës arrin deri në disa centimetër.

Reshjet e borës janë rikthyer në Dibër, duke përfshirë zonat mbi 300 metra mbi nivelin e detit dhe duke zbardhur fshatrat dhe zonat malore, në një situatë të pazakontë për këtë periudhë pranvere.
Prania e dëborës ka sjellë vështirësi në qarkullim, veçanërisht në rrugët rurale dhe në akset që lidhin zonat e thella me qytetin. Drejtuesit e mjeteve po përballen me kushte të vështira, ndërsa kërkohet kujdes i shtuar gjatë lëvizjes.
Nga ana tjetër, kushtet e motit paraqesin rrezik për sektorin e bujqësisë. Temperaturat që kanë zbritur nën zero mund të dëmtojnë kulturat bujqësore dhe pemët frutore që ndodhen në fazën e lulëzimit.
Megjithatë, reshjet e dëborës pritet të kenë edhe ndikim pozitiv, pasi do të ndihmojnë në rritjen e rezervave ujore, të cilat janë të rëndësishme për sezonin veror.
