Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, u pyet për procesin e reformës territoriale dhe variantet që po diskutohen.
Ai tha se në parim janë diskutuar disa modele, por aktualisht nuk ka ende një qëndrim zyrtar se cili variant do të propozohet nga Partia Socialiste.
“Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar janë diskutuar modele të ndryshme. Nuk ka një qëndrim ende nga PS. Ne besojmë dhe unë do t’i referohemi asaj që kam thënë vazhdimisht: duhet të ecim përpara me procesin. Të gjithë jemi duke menduar modele të ndryshme, të cilat nuk i kemi shpikur ne.
Nuk ka qëndrim, kjo është shumë e saktë. Janë diskutuar në parim disa kolona kryesore, ku kjo reformë duhet të mbështetet dhe kjo e bën procesin më të shëndetshëm dhe produkti përfundimtar do jetë më i mirë”, tha ai.
Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist, i mbajtur të shtunën e kaluar Pallatin e Brigadave u prezantuan katër variantet mbi “Territorialen”, që përfshijnë konsolidimin funksional, atë të dencentralizimit, forcimin e qarkut dhe rajonet strategjike.
