Në më pak se 20 minuta, para liderëve ushtarakë dhe zyrtarëve të tij më të lartë, Donald Trump iu drejtua Kombit për të folur për luftën në Iran.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti se ushtria amerikane pothuajse i kishte arritur qëllimet e saj në Iran, por ai nuk pranoi të ofronte një afat kohor konkret për përfundimin e konfliktit.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara kishin shkatërruar marinën dhe forcën ajrore të Iranit, dhe kishin paralizuar programet e tij të raketave balistike dhe bërthamore, ndërsa një goditje e fortë do të vijë dy-tre javët në vijim.
“Jam i lumtur të them se këto objektiva strategjike thelbësore po i afrohen përfundimit. Marina e tyre është zhdukur. Forca e tyre ajrore është zhdukur. Raketat e tyre janë pothuajse të mbaruara ose të shkatërruara. Të marra së bashku, këto veprime do ta gjymtojnë ushtrinë e Iranit, do ta reduktojnë aftësinë e tyre për të mbështetur aleatët terroristë dhe do t’u mohojnë atyre aftësinë për të ndërtuar një bombë bërthamore” tha Trump.
Trumo tha se Ngushtica e Hormuzit do të “hapet natyrshëm” kur të përfundojë konflikti, duke paraqitur një vizion optimist për të ardhmen ndërsa çmimet e naftës vazhdojnë të rriten. Ai kritikoi sërish aleatët që nuk ndihmuan në hapjen e kësaj rruge të rëndësishme detare dhe përsëriti se ata duhet të shkojnë të hapin Ngushticën, ose të blejnë naftë nga Shtetet e Bashkuara.
“Pjesa e vështirë është bërë, kur ky konflikt të mbarojë, ngushtica do të hapet natyrshëm. Ata do të duan të jenë në gjendje të shesin naftë sepse duhet të përpiqen të rindërtojnë. Atyre vendeve që nuk mund të marrin karburant, shumë prej të cilave refuzojnë të përfshihen në prerjen e kokës së Iranit… gjeni pak guxim të vonuar, shkoni në Ngushticë dhe thjesht merrni” – u shpreh ai.
Trump e cilësoi luftën një investim i vërtetë për fëmijët amerikanë dhe brezat e ardhshëm dhe shtoi se në fund, Shtetet e Bashkuara do të jenë më të sigurta, më të forta, më të begata sesa kanë qenë ndonjëherë.
