Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas paralajmërimit të ambasadës amerikane, e cila një ditë më parë dha alarmin se grupet e lidhura me Iranin mund të synojnë subjekte amerikane ose elementë të opozitës iraniane në vend.
Kreu i Shtetit thotë se institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore.
Pyetjes nëse ka vend për t’u mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Begaj bën këtë sqarim:
Nisur nga interesimi i përfaqësuesve të medies për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar nga ana e Presidentit të Republikës në kontekstin e thirrjes që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës beri dje, Zyra e Shtypit e Presidentit të Republikës e gjen me vend të sqarojë, si vijon:
– Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime për çështjet që diskuton. Këshilli përbëhet nga drejtues të organeve të larta shtetërore dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme.
Këshilli i shërben Presidentit të Republikës, si rregull, për diskutimin e rekomandimeve për masat që Presidenti i Republikës përpilon për institucionet ligjzbatuese dhe përgjegjëse për sigurinë lidhur me përballimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Shqipërisë.
– Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjtha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë.
– Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta.
– Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore.
