Dosja “Partizani”/ Malltezi kërkon heqjen e sekuestros, GJKK vendos në 7 prill

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme ka vendosur datën 7 Prill për t’u shprehur për kërkesën e bërë nga çifti Argita e Jamarbër Malltezit, vajzës dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, për lirimin e 25 pasurive të sekuestruara më herët nga SPAK për llogari të dosjes “Partizani”.

Prokurorja e Posaçme Enkeleda Millonai në seancën e sotme u shpreh Jamarbër Malltezi, zotëron edhe prona të tjera që nuk janë sekuestruar dhe nuk ka sjellë asnjë provë që mund t’i mungojë aftësia për të kryer pagesa.

Ndërkohë Malltezi është shprehur në sallë se gjyqi ndaj tij dhe pasurive të tij është luftë klasash, Por prokurorja e Posaçme Millonai tha se zbrazja e llogarive nuk do të thotë që ka pamundësi financiare.

Kjo është e disata herë që Malltezi i drejtohet gjykatës për të liruar pasuritë. Më herët më 16 Janar 2025 Argita dhe Jamareber Malltezit iu rrëzua një tjetër kërkesë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm për lirimin e këtyre pasurive. Ndërkohë një tjetër kërkesë e ngjashme do të shqyrtohet me datën 7 Prill në Gjykatën e Lartë. Pasuritë e familjarëve të ish-kryeministrit Berisha u bllokuan me vendim gjyqësor në tetor 2023 në të njëjtën kohë kur ndaj Jamarbër Malltezit u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”, masë që e vuajti një muaj, derisa ndryshoi në masë më të butë.

Mes pasurive të sekuestruara janë 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare. Dosja për privatizimin e klubit Partizani kaloi për gjykim më 19 maj.
Berisha po gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi sipas SPAK në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.



Skip to toolbar